Ish-kryeprokurorja e gjykatave të OKB-së për krimet e luftës, Karla Del Ponte ka bërë thirrje që presidenti rus Vladimir Putin të arrestohet për pushtimin e Ukrainës.
Karla Del Ponte tha se urdhërarrestet ndërkombëtare duhet të lëshohen kundër Putinit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë rusë.
“Putini është një kriminel lufte,” i tha ajo gazetës zvicerane Le Temps.
Del Ponte shërbeu si kryeprokuror në gjykatat penale ndërkombëtare të OKB-së për ish-Jugosllavinë dhe për Ruandën.
Një hetim mbi krimet e mundshme të luftës në Ukrainë filloi muajin e kaluar, pasi Rusia u akuzua për bombardimin e civilëve. Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), Karim Khan i Mbretërisë së Bashkuar, tha se po mblidheshin prova mbi krimet e dyshuara të luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin.
Kur presidenti amerikan Joe Biden iu referua Putinit si një “kriminel lufte” muajin e kaluar, Kremlini tha se fjalët e tij ishin “të pafalshme”./TV Malisheva