“Task Forca”  për menaxhimin e gjendjes me ujë të pijes dhe mirëmbajtjen e mjedisit në Komunën e Malishevës, e formuar nga kryetari i komunës, pas formimit të saj, sot e ka mbajtur mbledhjen e parë, të cilën e udhëheqë nënkryetari  i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, ndërsa pjesë e kësaj task force janë edhe drejtoritë komunale të shërbimeve publike, inspektoratit dhe mbrojtjes dhe shpëtimit, pastaj Policia e Kosovës-stacioni në Malishevë, njësia e “Eko regjionit” në Malishevë dhe njësia e “Hidroregjionit Jugor” në Malishevë.

Në këtë mbledhje, kryetari i task forcës, Vesel Krasniqi, i ka njoftuar anëtarët me detyrat dhe përgjegjësitë që i kanë, ndërsa më pas e kanë diskutuar edhe hartimin e planit të punës dhe aktivitetet që do ti zhvillojnë gjatë vitit 2022, që siç tha edhe nënkryetari Krasniqi, “si një trup i përbashkët mund të bëjnë shumë për qytetarët”.

Konkluzionet e takimit të parë ishin:

Muaji Prill të jetë muaj i pastrimit të ambientit në tërë territorin e Komunës së Malishevës, ashtu sikur e ka shpallur këtë muaj kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, dhe konkluzion tjetër është, që njësitë e Ekoregjionit dhe Hidroregjionit të sjellin planet e veprimit, të cilat do të futen në planin e punës së task forcës.

Nga ky takim u bë e ditur, se të martën, me 5 prill 2022, duke filluar në ora 11:00, do të organizohet Ditë e Pastrimit të ambientit në qytetin e Malishevës, aksion i cili i paraprinë zbatimit të vendimit të kryetarit, që muaji Prill, të jetë muaj i pastrimit në tërë territorin e Komunës së Malishevës.

/TV Malisheva

Share.