Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola bëri thirrje të hënën për një “miratim të menjëhershëm të një pakete të re sanksionesh të forta” kundër Rusisë, në mënyrë që vendimi i Moskës për të pushtuar Ukrainën të jetë “gabimi më i kushtueshëm që Kremlini ka bërë ndonjëherë”.

Duke iu drejtuar Parlamentit Evropian në Strasburg, Metsola tha se goditja ndaj ekonomisë së Rusisë duhet të jetë proporcionale me mizoritë e paprecedentë që po shohim, duke shtuar se çdo sanksion i ri duhet të synojë ata që financojnë dhe mbështesin Putin-in dhe të mbyllë çdo boshllëk ekzistues.

“Këto akte të koordinuara çnjerëzore nuk mund të mbeten pa përgjigje dhe se ne do t’i kërkojmë llogari të gjithë përgjegjësve,” tha ajo.

Duke folur para ligjvënësve evropianë, Metsola tha se mizoritë e kryera nga ushtria ruse në Ukrainë janë të tmerrshme dhe të turpshme.

“Pamjet e varreve masive dhe civilëve të vrarë janë krime lufte, të kryera nga kriminelët e luftës”, shtoi Metsola, e cila vizitoi Ukrainën javën e kaluar dhe mbajti një fjalim në Parlamentin ukrainas, transmeton CNN.

 

Share.