Në funksion të zbatimit të vendimit të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, që muaji prill të jetë muaj i pastrimit të ambientit në tërë territorin e Malishevës, sot ka nisur një aksion i madh i pastrimit të qytetit, për të vazhduar ditëve në vijim edhe nëpër fshatrat e komunës.

I pari i Malishevës, Ekrem Kastrati i shoqëruar edhe nga nënkryetari, Vesel Krasniqi, kryesuesi i Kuvendit, Argjend Thaçi,  drejtorët dhe gjithë punëtorët e administratës komunale, institucionet shëndetësore, Policia e Kosovës, kompanitë publike; Ekoregjioni, Hidroregjioni, Zjarrfikësit, OJQ-të, si dhe shumë qytetarë vullnetarë, sot ju bashkuan këtij aksioni të pastrimit, për një ambient të pastër, dhe që njëkohësisht i paraprinë edhe shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, që është më 22 prill.

Kryetari i Komunës së Malishevës, duke ju drejtuar mediave të pranishme, institucioneve dhe qytetarëve për aksionin e pastrimit, ndër të tjera tha:
” Ne si Komunë në bashkëpunim me institucionet tjera të përfshira dhe gjithë qytetarë, do të angazhohemi maksimalisht për një ambient më të pastër në tërë komunën tonë, dhe ky është veç fillimi i realizimit të projektit për ” Malishevën Urbane”.
Po ashtu, kryetari Kastrati, tha se, jemi të përkushtuar dhe me plotë energji që t’i realizojmë premtimet tona dhënë qytetarëve tanë, për këtë edhe kemi hartuar planin në këtë fushë si dhe ”Task Forcën” komunale e cila do të përkujdeset për mirëmbajtjen e ambientit dhe furnizimit me ujë të pijes.

Gjithashtu, kryetari Kastrati tha se ditëve në vijim përmes këtij aksioni të pastrimit, do të vazhdojmë edhe me eliminimin e pikave inerte nëpër fshatrat e Komunës së Malishevës.
“Vetëm kur punojmë të gjithë bashkë, krijojmë ambient të bukur dhe mirëqenie më të mirë për qytetarët tanë”, tha në fund, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.

Share.