Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikolla Selakoviq, i është përgjigjur eurodeputetes Viola von Cramon, e cila tha se zgjedhjet në Serbi nuk ishin as të drejta e as të lira. Për më tepër, ajo tha se ishte e papranueshme që shqiptarëve të Luginës së Preshevës iu mohua e drejta për votim.
Për këtë arsye, Selakoviq e ka quajtur Cramonin “mike dhe lobiste të bindur të seperatistëve shqiptarë të Kosovës”, duke thënë se ajo është e pakënaqur me rezultatet e zgjedhjeve në Serbi “sepse qytetarët edhe një herë e kanë përkrahur politikën që garanton përparim ekonomik, paqe dhe stabilitet”.
“Nuk është puna e eurodeputetëve të mbështesin përmbysjen e qeverisë së një shteti sovran dhe të kufizojnë të drejtën e qytetarëve serbë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre politikë në procesin demokratik,” tha Selakoviq, shkruan Tanjug.
Von Cramon ka shkruar në Twitter se në zgjedhjet në Serbi u pa presioni direkt te votuesit që punojnë në administrata publike si dhe sulmet fizike siç ishte ai ndaj liderit opozitar Pavle Grboviq.
/TV Malisheva