Kripa është një pjesë e zakonshme e dietës ditore të shumicës së njerëzve.

Ekspertët thonë se për funksionimin e organizmit nevojiten rreth 500 miligramë kripë në ditë, ndërsa marrja e tepërt mund të rrisë zhvillimin e sëmundjeve të ndryshme.

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon konsumimin e më pak se pesë gramë kripë në ditë që është edhe pak më pak se një lugë çaji. Për fëmijët rekomandohet një konsum edhe më i ulët i kripës, në varësi të aktiviteteve.

Ndërsa kripa është një lëndë ushqyese thelbësore për trupin, vepron në ekuilibrin e lëngjeve të trupit, përmirëson funksionin e nervave dhe muskujve, marrja e tepërt mund të çojë në efekte të dëmshme për shëndetin. Këto janë disa prej tyre…

Presioni i lartë i gjakut si një vrasës i heshtur

Për shkak të marrjes së lartë të kripës, trupi ynë është më i prirë ndaj mbajtjes së lëngjeve, gjë që bën që sasi më të mëdha të gjakut të rrjedhin nëpër vena dhe arterie. Kjo rrit presionin e gjakut, i cili është shpesh asimptomatik dhe për këtë arsye quhet “vrasës i heshtur”.

Infarkt

Sipas një studimi të botuar në Lancet, marrja e reduktuar e kripës ndihmon disa pacientë me dështim të zemrës. Edhe pse ky zakon nuk ka reduktuar numrin e shtrimeve në spital apo vdekjet, hulumtimet kanë zbuluar se ai lehtëson simptomat si ënjtja, lodhja dhe kolla.

Goditja në tru

Konsumimi i tepërt i kripës paraqet rrezik më të lartë për goditje në tru dhe sëmundje të tjera kardiovaskulare. Një goditje ndodh kur rrjedha e gjakut në një pjesë të caktuar të trurit ndërpritet ose kufizohet, duke i dhënë indit të trurit më pak oksigjen. Rritja e marrjes së kripës mund të rrisë sasinë e gjakut në arterie, të rrisë presionin e gjakut dhe në këtë mënyrë të rrisë rrezikun e goditjes në tru.

Sulm në zemër

Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, ushqimet e kripura, veçanërisht ato të përpunuara, çojnë në presion të lartë të gjakut, sulme në zemër dhe goditje në tru. Sipas Organizatës Amerikane të Shëndetësisë, rreth gjysmë milion vdekje në vit lidhen me presionin e lartë të gjakut, kjo është arsyeja pse marrja e reduktuar e kripës mund të shpëtojë vërtet jetë.

Dëmtim i enëve të gjakut

Sipas të gjitha informacioneve dhe hulumtimeve të disponueshme, marrja e tepërt e kripës dëmton arteriet dhe çon në depozitime në enët e gjakut, akumulim të yndyrës, kolesterolit dhe substancave të tjera të dëmshme.

Si të reduktoni marrjen e kripës?

Nëse po përpiqeni të reduktoni marrjen e përditshme të kripës, këtu janë disa këshilla.

1. Zgjidhni ushqime të freskëta në vend të ushqimeve të përpunuara. Perimet jeshile, ushqimet dhe frutat e pasura me fibra janë zgjedhje më të mira. Gjëja më e rëndësishme është se duke gatuar në shtëpi do të rregulloni marrjen e kripës.

2. Para se të blini ndonjë artikull ushqimor, lexoni deklaratën. Zgjidhni produkte që kanë më pak kripë për 100 gramë.

3. Mos u ofroni fëmijëve ushqime të kripura. Kur bëhet fjalë për ushqimin për fëmijë, mbajeni kripën në minimum që të mos mësohen me shijen.

4. Kontrolloni porcionet dhe sasinë e ushqimit që hani. Ngrënia e tepërt shpesh çon në marrjen e tepërt të kripës.

/TV Malisheva

Share.