Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe presidenti rus Vladimir Putin zhvilluan një bisedë telefonike, raportojnë mediat serbe. Biseda është zhvilluar sot paradite dhe nuk dihet sa ka zgjatur, shkruan agjencia kroate e lajmeve, Index.

Sipas Kuririt, mediumit të afërt me Vuçiqin, Putini e ka uruar presidentin serb për fitoren në zgjedhje, ndërsa Vuçiq i tha Putinit se do të vazhdojë ta udhëheqë Serbinë duke i ruajtur marrëdhëniet e tij të sinqerta dhe tradicionale me Rusinë.

Kur liderët në mbarë botën reaguan ashpër pas masakrave të forcave ruse në Bucha dhe kur të gjithë po flasin për këtë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, Vuçiqi foli me Putinin. Kurir shkruan se Putini e informoi Vuçiqin për situatën në Ukrainë dhe “arsyet e sulmit rus”.

Më tej, thuhet se të dy kanë analizuar situatën ekonomike dhe marrëdhëniet dypalëshe. Temat ishin energjia dhe tregtia, me ç’rast raportohet se Vuçiq iu ankua Putinin për vështirësitë me të cilat ballafaqohet Serbia gjatë importimit të naftës bruto.

Ata deklaruan gjithashtu se kontrata e gazit skadon më 31 maj dhe se bisedimet për vazhdimin e bashkëpunimit duhet të nisin urgjentisht.

/TV Malisheva

Share.