Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se perspektiva evropiane që i është premtuar Kosovës përmes Marrëveshjes për Stabilizim Asociimi mbetet teorike derisa nuk përcillet me hapa konkretë drejt anëtarësimit. Në këtë kontekst, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që gjatë këtij viti të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në konferencën e mbajtur në gjashtë vjetorin e hyrjes në fuqi të MSA-së, Bislimi ka folur edhe për situatën ekonomike në vend për çka ka thënë se shifrat tregojnë që nuk ka krizë ekonomike.

Bislimi foli edhe për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian që përsëriti se do të bëhet brenda vitit për çka tha se shpreson që BE t’i përgjigjet pozitivisht këtij aplikimi.

“Marrëveshje e Stabilizim Asociimit është një dokument përmes së cilit Kosovës i është premtuar një perspektivë e qartë evropiane… Natyrisht që kjo perspektivë mbetet teorike për aq kohë sa nuk përcillet me hapa konkretë drejt anëtarësimit, në këtë kontekst Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që gjatë vitit 2022 apo gjashtë vjet e gjysmë pas hyrjes në fuqi të MSA-së të aplikojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian me një shpresë shumë të fuqishme që edhe Bashkimi Evropian do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj kërkese apo aplikimit tonë, sidomos nisur nga fakti që Kosova është ende vendi i vetëm që nuk ka aplikuar për këtë status”, ka thënë ai.

Ish-ministri i Financave tha se viti 2021 ka shënuar edhe një përformancë shumë të mirë buxhetore. Bislimi shtoi se përkundër pandemisë ka pasur rritje të të hyrave buxhetore për afërsisht një të tretën në krahasim me vitin 2020.

“Performanca buxhetore në tre muajt e parë të vitit 2022. Në bazë të statistikave që kam për datën 5 prill. Deri me datën 5 prill, kemi një rritje të të hyrave, sërish rritje të të hyrave buxhetore në raport me vitin paraprak për 25.4 për qind, do të thotë për një të katërtën apo diku 120 milionë kemi më shumë të hyra në buxhet sesa kemi pasur vitin e kaluar, e viti i kaluar ka qenë një vit jashtëzakonisht i mirë. Kjo tregon që përkundër brengave dhe përkundër dëshirës që të ngjallim një lloj panike të qytetarët për krizë ekonomike numrat e kundërshtojnë këtë në mënyrë të fuqishme”, ka thënë Bislimi.

Bislimi pranoi se dy vitet e fundit kane qenë të vështira për qeverinë, qytetarët e bizneset për shkak të pandemisë dhe krizës energjetike, mirëpo u shpreh se shifrat për rritje ekonomike janë kokëforta.

“Rritja ekonomike nuk matet me vrojtime, ose me bindje, ose opinione, mirëpo janë statistika të vrazhda të cilat grumbullohen nga disa agjenci, nga Agjencia e Statistikave, nga Banka Qendrore, nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe do të ishte e palogjikshme të diskutojmë mbi vërtetësinë e këtyre shifrave. Ajo çka mund të diskutojmë, që i bie sferës normative, i bie që a mjafton kjo rritje ekonomike t’i adresojë sfidat me të cilat ballafaqohemi ose jo, mirëpo si e tillë nuk mund të kundërshtohet”, vijoi Bislimi.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, deklaroi se vendi duhet të përfshihet në reforma afatgjata duke thënë se progresi varet shumë nga fuqizimi i sundimit të ligjit, arsimi cilësor e stabiliteti ekonomik.

“Periudha në të ardhmen do të jetë e rëndësishme për arritjen e progresit të mëtejmë, qeveria ka një detyrë vendimtare që të shtyjë Kosovën drejt reformave të nevojshme për fuqizimin e sundimit të ligjit, për stimulimin e zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik, ofrimin e arsimit cilësor dhe mundësi për të rinjtë e Kosovës si dhe të ofrojë një mjedis tërheqës biznesor”, tha Szunyog.

Szunyog shtoi se programi për implementimin e MSA-së është një udhërrëfyes i mirë për reforma dhe si mjet për të siguruar që qeveria të veprojë në mënyrë efektive.

“Zotimet e marra nga qeveria kanë nevojë për mbështetje të fuqishme politike dhe zotim të ministrive të linjës dhe bashkëpunim me shoqërinë civile, partnerët bizensore dhe parlamentin e Kosovës. Për të qenë të suksesshëm qeveria duhet të mbështesë dhe këshillojë sektorin privat dhe investitorët e sektorit privat. Për këtë arsye shohim aktivitetet e investitorëve evropianë posaçërisht librin e bardhë dhe roli ne tyre këshillëdhënës si shumë të rëndësishëm”, tha shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.

/TV Malisheva

Share.