Serbia ka dashur të abstenojë nga votimi për pezullimin e Rusisë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara, por për shkak të presionit u votua pro rezolutës.
Kështu u shpreh presidenti serb Aleksandër Vuçiç gjatë një interviste televizive.
“Vendimi ynë ka qenë që të jemi të përmbajtur, dhe pastaj vijnë presione të panumërta, të rënda që nuk kanë të bëjnë me anën personale. Askush nuk më ka shantazhuar, por po shantazhojnë vendin”, theksoi presidenti serb, duke shtuar se Serbia është një vend neutral ushtarakisht, por jo politikisht.
Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara pezulloi të enjten, Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Vendimi erdhi pas raporteve për ‘dhunë sistematike dhe abuzim me të drejtat e njeriut’ nga pushtimi i trupave ruse të Ukrainës.
Votimi i kërkuar nga SHBA mori 93 vota pro, 24 kundër ndërsa 58 vende të tjera abstenuan.
/TV Malisheva