Kryediplomati i Bashkimit Europian, Josep Borrell, pas vizitës që pati në Ukrainë ku pa nga afër edhe vendet e krimeve mizore që u kryen nga forcat ruse, tha se tashmë e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë.

Ai tha se 500 milionë euro shtesë i ka ndarë për ushtrinë ukrainase, si dhe paralajmëroi sanksione më të ashpra ndaj Rusisë, përfshirë edhe naftën.

“I prekur nga rezistenca, vendosmëria dhe mikpritja e presidentit Zelensky dhe kryeministrit Shmyhal. Po kthehem me një listë të qartë se çka duhet të bëj:  Kjo luftë do të fitohet në fushëbetejë. 500 milionë euro shtesë nga EPF janë në proces. Dërgesat e armëve do t’u përshtaten nevojave të Ukrainës;  Ne duhet të vazhdojmë të rrisim presionin tonë ndaj Rusisë.

Ne kemi vendosur tashmë sanksione masive, por duhet bërë më shumë në sektorin e energjisë, përfshirë naftën. Të hënën, po mbledh Këshillin e Punëve të Jashtme të BE-së për të diskutuar hapat e ardhshëm”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Borrell tha se Ukraina do të mbizotërojë dhe do të ngrihet edhe më e fortë dhe se BE-ja do të vazhdojë t’i qëndrojë pranë, “në çdo hap të rrugës”.

Ai bashkë me presidentin e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, shkuan edhe në Bucha ku nga afër panë varret masive dhe vendin ku po raportohet se u krye masakër nga forcat ruse ndaj civilëve ukrainas.

/TV Malisheva

Share.