Njerëzit që flenë më pak se katër orë në natë janë në rrezik të shtuar të zhvillimit të yndyrave të dëmshme që mbulojnë organet e tyre.
Mungesa e gjumit mund të bëjë që njerëzit që janë relativisht të shëndetshëm të zhvillojnë yndyrë të brendshme në bark, e cila me kalimin e kohës mund të shkaktojë probleme për zemrën dhe organet e tjera të trupit.
Hulumtimet kanë implikime serioze pasi gjithnjë e më shumë njerëz shpenzojnë më pak kohë duke fjetur për shkak të përhapjes së telefonave inteligjentë, orëve më të gjata të punës dhe faktorëve të tjerë.
“Gjetjet tona tregojnë se gjumi i shkurtuar, edhe tek njerëzit e rinj, të shëndetshëm dhe relativisht të dobët, shoqërohet me shtim të marrjes së kalorive, shtim shumë të vogël në peshë dhe një rritje të konsiderueshme të akumulimit të yndyrës në bark”, tha dr. Winred Somers, studiuesi kryesor i studimit të klinikës britanike Mayo.
Studimi u botua në Gazetën e Kolegjit Amerikan të Kardiologjisë dhe për studimin u mblodhën të dhëna nga 12 njerëz të shëndetshëm dhe obezë të moshës 19-39 vjeç.
Pas një periudhe aklimatizimi katër ditorë, në të cilën subjektet përgatiteshin për orarin e ri të gjumit, ata iu nënshtruan një orari të rreptë gjumi për 14 ditë. Njëri grup kishte vetëm katër orë gjumë çdo natë, ndërsa tjetri kishte nëntë orë.
Ekipi hulumtues mati marrjen dhe konsumin e energjisë, peshën, përbërjen e trupit dhe shpërndarjen e yndyrës në secilin subjekt pas përfundimit të periudhës. Ata që flinin vetëm katër orë u zbulua se fitonin peshë më shumë se bashkëmoshatarët e tyre në grupin që flinin rreth nëntë orë.
Nivelet totale të yndyrës së trupit mbetën të njëjta në të dy grupet, por njerëzit që flinin për katër orë kishin nivele të larta të yndyrës viscerale.
“Edhe pse pati një reduktim të marrjes së kalorive dhe peshës gjatë rikuperimit të gjumit, yndyra e brendshme vazhdoi të rritet. Kjo sugjeron që gjumi i pamjaftueshëm është një shkaktar i panjohur më parë për depozitimin e yndyrës viscerale dhe se gjumi i kompensuar, të paktën në afat të shkurtër, nuk e kthen akumulimin e yndyrës organike. Në planin afatgjatë, këto gjetje nënkuptojnë gjumin e pamjaftueshëm si një kontribut në epideminë e obezitetit, sëmundjet kardiovaskulare dhe metabolike’, tha Somers.
Ata që ishin pjesë e një grupi të kufizuar të gjumit merrnin gjithashtu rreth 300 kalori më shumë në ditë se bashkëmoshatarët e tyre, duke çuar në shtim në peshë. Rritja e konsumit të ushqimit përfshinte një rritje prej 17 për qind të konsumit të yndyrës dhe një rritje prej 13 për qind të konsumit të proteinave në dietën e tyre.
Yndyra viscerale është akumulimi i yndyrës në trupin tonë, por nuk grumbullohet në shtresat nënlëkurore të belit dhe ijet, por rreth organeve të barkut. Ajo është lidhur me diabetin e tipit 2, sëmundjet e zemrës dhe kolesterolin e lartë, si dhe me një numër problemesh shtesë.
Somers tha se rritja e ushtrimeve dhe zgjedhjet më të mira të dietës mund të ndihmojnë në kompensimin e dëmit të shkaktuar nga yndyra te njerëzit që nuk flenë mjaftueshëm.
Ndryshimet e stilit të jetesës si p.sh. të flini në të njëjtën kohë çdo natë; zgjoheni në të njëjtën kohë çdo mëngjes; dhe fikja ose largimi i televizorëve, kompjuterëve, pajisjeve mobile nga dhoma e gjumit, mund t’i ndihmojë njerëzit të bëjnë gjumin e shëndetshëm që u nevojitet.
/TV Malisheva