Kryediplomati rus, Sergey Lavrov, ka zbuluar se qëllimi i ardhshëm i luftës kundër Ukrainës është “fundi i dominimit të Shteteve të Bashkuara në botë”.
Lajmi bëhet i ditur nga transmetuesi rus “Russia 24”.
“Politika e Bashkimit Evropian nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara pasqyron zemërimin, furinë, e cila përcaktohet jo vetëm nga Ukraina, por nga fakti se Ukraina ka krijuar një trampolinë për nënshtrimin e Rusisë”, deklaroi fillimisht Lavrov.
Zyrtari rus u shpreh se kjo kundërshton deklaratat se “palët nuk janë më kundërshtare”.
“Operacioni ynë special (agresioni rus kundër Ukrainës) i jep fund ekspansionit të pamatur, dominimit të plotë të Shteteve të Bashkuara në botë. Dominimi që vjen me shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, shtoi diplomati rus.
Më herët, kreu i Ministrisë së Jashtme ruse tha se Ukraina ka paraqitur një draft-marrëveshje të re.
Por, Rusia e sheh atë si një largim nga marrëveshjet e arritura në Stamboll.
“Pavarësisht provokimeve, Federata Ruse është e gatshme të vazhdojë negociatat”, përmbylli Lavrov deklaratën e tij.
/TV Malisheva