Banka Botërore në raportin e saj më të ri mbi ekonominë ka thënë se ekonomia e Kosovës përjetoi një rimëkëmbje të fortë në vitin 2021, mbështetur nga ringritja e kërkesës së brendshme dhe rritja rekorde e eksportit, por rritja ekonomike pritet të ngadalësohet në 3.9 për qind në vitin 2022.
Ndërkohë që inflacioni është intensifikuar si pasojë e rritjes së çmimeve të importit, perspektiva afatmesme mbetet pozitive, por e ndikueshme nga rreziqet e shtuara, me rritjen e ndjeshme të presioneve inflacioniste nga lufta në Ukrainë, thuhet në raport.
Reformat e mëtejshme për të rritur konkurrueshmërinë do të ndihmonin në ruajtjen e momentumit të eksportit të Kosovës.
Banka Botërore specifikon edhe sfidat, me të cilat u përball Kosova gjatë 2021 sa i përket çështjes ekonomike financiare.
Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i Kosovës u rrit me 9.1 për qind në vitin 2021 pas një tkurrjeje prej 5.3 për qind në vitin 2020. Rritja e PBB-së pritet të arrijë në 3.9 për qind në vitin 2022, por ka rreziqe të konsiderueshme.
Investimi privat kontribuon gjithnjë e më shumë, por konsiston kryesisht në ndërtim, me derdhje të kufizuara të produktivitetit.
Pozitivisht, eksportet e mallrave u rritën ndjeshëm nga nivelet para pandemisë dhe, megjithatë ende të ulëta, janë një shenjë inkurajuese rritjes së sektorit privat.
Deficiti tregtar, megjithatë, mbetet i lartë, thuhet në këtë raport, ku specifikohet edhe pjesëmarrja e ulët të fuqisë punëtore, veçanërisht për gratë.
Punësimi i grave u rrit me 14 për qind, por ende vetëm 16 për qind e grave të rritura ishin të punësuara në tremujorin e parë 2021. Pozitivisht, punësimi formal u rrit gjatë gjithë vitit 2021, thuhet në raport.