Inflacioni (rritja e çmimeve) nga marsi i vitit 2021 në mars të vitit 2022 ka arritur 10 përqind.
Indeksi i harmonizuar për çmimet e konsumit të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregon për rritje të çmimeve për 10 përqind në muajin mars, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas raportit të ASK-së rritja e inflacionit shpjegohet me ngritjen e çmimeve të konsumit dhe të shërbimeve.
Derisa inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 2.7 përqind në muajin mars 2022.
Sipas kësaj Agjencie, ngritja më e madhe e çmimeve vërehet te faturat e energjisë elektrike me 13 përqind, pasuar nga gazi me 11.4 për qind. Vajrat dhe yndyrat ushqimore kanë pasur rritje prej 11.3 përqind, pijet alkoolike për 5.9 për qind, ndërkaq veshjet për 4.9 përqind, u tha në indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2.7% në muajin mars 2022 krahasuar me muajin shkurt 2022. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: buka dhe drithërat (6,3%), mishi (1,0%), qumështi, djathi dhe vezët (5,7%), vajrat dhe yndyrat ushqimore (11,3%), pemët (2,7%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (1,9%), ujë, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (1,7%), pijet alkoolike (5,9%) veshje (4,9%), energjia elektrike 13,0% (shpjegim: çmimi mesatar reflekton çmimin e faturuar për muajin mars sipas tarifave dhe strukturës se re tarifore te aprovuar nga Rregullatori per Energji Elektrike. Sipas strukturës se re, konsumatorët shtëpiak ndahen ne dy blloqe ne konsumin, nen 800 kWh dhe mbi 800 kWh, te cilat tutje dallojnë sipas konsumit natë dhe ditë, çmimi mesatar varijon”, thuhet në raportin e ASK-së.
Ndërkaq, norma vjetore e inflacionit e matur në muajin mars 2022 me muajin mars 2021 ishte 10.0 përqind.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 10,0 për qind në muajin mars 2022 krahasuar me muajin mars 2021. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet: buka dhe drithërat 23,0%, mishi (9,6%), qumështi, djathi dhe vezët (18,3%), vajrat dhe yndyrat ushqimore (43,1%), perimet (14,0%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (12,9%), prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza kripë, ushqim për fëmijë etj. 8,4%, uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (5,2%), duhani 4,7%), energjia elektrike (26,9%)”, thuhet në raportin e ASK-së.
Në muajin shkurt, shkalla e inflacionit ishte 7.5 përqind, ndërsa në janar 7.1 përqind.
Invazioni ushtarak rus në Ukrainë që nga 24 shkurti, ka ndikuar që të ngriten çmimet e produkteve esenciale ushqimore edhe në tregun e Kosovës, sidomos për derivatet e naftës, miellit dhe bukës, dhe vajit për gatim. /TV Malisheva