Ka përfunduar njëra nga ndeshjet e programit të sotëm të Kupës së Kosovës, ku tani kemi mësuar skuadrën e parë që ka siguruar biletën drejt finales së kësaj gare.

Pas 90′ minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “Ramiz Sadiku”, skuadra e Dritës ka barazuar me rezultat 2:2 si mysafire e Ramiz Sadikut, përcjell TV Malisheva.

Fillimisht, ishte sulmuesi Armend Misini ai i cili e zhbllokoi rezultatin i pari, duke kaluar Ramiz Sadikun në epërsi prej 1:0 në minutën e 51′ të ndeshjes.

Epërsinë në 2:0 e thelloi Granit Musa në minutën e 67′, kurse golin e parë për skuadrën e Dritës e shënoi Ardit Tahiri në minutën e 85′.

Golin e barazimit skuadra nga Gjilani e gjeti në minutën e 90’+2 shtesë, ku Almir Kryeziu shënon për rezultatin final 2:2.

Pavarësisht barazimit të sotëm, skuadra e Dritës vazhdon tutje garën për titullin e Kupës së Kosovës, ku siguron biletën drejt finales në rezultat të përgjithshëm 5:2, pasi që në ndeshjen e parë triumfoi me rezultat 3:0 kundër Ramiz Sadikut.

Në finale, skuadra e Dritës do të përballet me fituesin e ndeshjes mes kampionit aktual të kësaj gare, Llapit, dhe kampionit aktual të Superligës së Kosovës, Prishtinës.

Rezultati final i ndeshjes është 2:2, ndërsa në rezultat të përgjithshëm 5:2, Drita siguron finalen e Kupës së Kosovës.

Share.