Me garën në disiplinën e auto sllallomit, e cila në këtë fundjavë zhvillohet në Ferizaj, nis Kampionati i Kosovës në automobilizëm.
Federata e Auto Sportit e Kosovës (FASK) i ka bërë të gjitha përgatitjet për një kampionat edhe më atraktiv, më cilësor dhe më masovik se ato paraprake.
Kryetari i FASK-ut, Ismet Rexhepi, është optimist se në vitin 2022 automobilizmi kosovar do shënojë rritje të gjithanshme.
“Jemi mobilizuar maksimalisht për një kampionat të suksesshëm. FASK ka bërë disa ndryshime, duke filluar nga zyrat e reja, rritja e stafit dhe puna në terren, në mënyrë që sivjet të jemi edhe më mirë se në të kaluarën”, është shprehur Rexhepi në prag të fillimit të kampionatit.
Ai ka shtuar se agjenda e FASK-ut sivjet është mjaft e ngjeshur, por që me angazhimin e të gjithëve do të realizohet me sukses.
“Kemi numër të madh të aktiviteteve, por jemi shumë optimistë se do t’ia dalim me sukses. Besoj se garuesit dhe klubet kanë punuar shumë, ndërsa sa i përket pjesës së Federatës gjithçka është gati. Do t’i kushtojmë shumë rëndësi kalendarit të garave, ndërkohë në arenën ndërkombëtare synojmë të marrim pjesë më shumë se vitin e kaluar”, ka theksuar numri një i FASK-ut.
Për t’i realizuar të gjitha këto objektiva, ai pret kontribut nga të gjithë ata që, në çfarëdo mënyre janë të lidhur me auto sport.
“Presim bashkëpunim të mirë nga institucionet tona relevante, pastaj nga sponsorët tanë, të cilët i falënderojmë shumë, derisa nga klubet e garuesit kërkojmë përkushtim e disiplinë të nivelit më të lartë“, është shprehur kryetari Rexhepi.
Në kalendarin e sivjetmë të FASK-ut sivjet janë 18 gara.
/TV Malisheva