Kreu i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së ka paralajmëruar se njerëzit “po vdesin nga uria” në qytetin e rrethuar të Mariupolit, i cili ka qenë nën bombardime të rënda për javë të tëra.

Sipas mediave të huaja, David Beasley tha se ai ka frikë se kriza humanitare e vendit do të përkeqësohet në javët e ardhshme pasi Rusia kërkon të intensifikojë sulmet e saj në lindje.

Agresioni rus që filloi në shkurt po “shkatërron njerëzit në Ukrainë”, tha zoti Beasley, duke u ankuar për mungesën e qasjes me të cilin përballen Programi Botëror i Ushqimit (PBU) dhe organizata të tjera ndihmash në përpjekjet për të arritur tek ata në nevojë.

Natyra fluide e konfliktit, që ka parë zhvendosjen e luftimeve nga zonat përreth kryeqytetit dhe drejt Ukrainës lindore, e ka bërë veçanërisht të vështirë arritjen e ukrainasve të cenueshëm.

PBU po përpiqet të vendosë furnizimet ushqimore tani në zona që mund të përfshihen në luftime, por Beasley pranoi se ka “shumë kompleksitet” ndërsa situata evoluon me shpejtësi.

Ndryshe, Mariupol në jug të vendit është përballur me bombardime të pamëshirshme që nga shpërthimi i konfliktit në shkurt, me mijëra njerëz që luftojnë për të pasur ushqim dhe ujë.

Dhe vlerësimet e fundit nga Ukraina thonë se rreth 21,000 civilë janë vrarë.

Veç mungesës së ushqimit atje, Këshilli i qytetit të Mariupolit pretendon se trupat ruse kanë filluar të gërmojnë trupat e viktimave të varrosura në oborret e blloqeve të banimit.

Duke shkruar në Telegram, zyrtarët e qytetit thonë se pushtuesit rusë po refuzojnë të lejojnë banorët të varrosin civilët që dyshohet se janë vrarë nga trupat armike.

“Nuk dihet pse do të bëhet zhvarrimi dhe ku do të dërgohen trupat”.

Zyrtarët në qytetin port jugor besojnë se Rusia po përpiqet të fshehë prova të krimeve të mundshme të luftës në rajonin e rrethuar.

“Por ata nuk do të kenë sukses, e gjithë bota tashmë po regjistron krimet e shumta të ushtrisë ruse në Mariupol”, thuhet në një deklaratë.

/TV Malisheva

Share.