Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka reaguar pas sulmeve që janë bërë mbi policinë e Kosovës nga disa persona në Veri të Kosovës, e që për momentin nuk dihet se kush janë, raporton TV Malisheva.
Sipas tij sulmet e tilla mbi policinë e Kosovës janë të planifikuara më herët.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve të sigurisë që të jenë më të vëmendshme.
Reagimi i plotë:
Invazioni rus në Ukrainë është plan i hershëm i përgatitur nga shërbimet e këtij shteti. Pasi që Rusia ka ngecur dhe është ndalur nga rezistenca e pashoq e Ukrainasve, synimet e saj janë destabilizimi i Ballkanit Perëndimor.
Sulmet e tilla si këto ndaj policisë së Kosovës janë të planifikuara kohë më herët. Institucionet e sigurisë duhet të qëndrojne vigjilente dhe të vendosura që të zbatojnë ligjin në tërë territorin e Kosovës, sulmeve terroriste t’u përgjigjen me vendosmëri, me dyfishin e forcës.
Kujtojmë se këto sulme vijnë pas furnizimit me armë ofanzive nga Kina nga shteti serb, duke realizuar pikë për pike planet e Putinit, si dhe pas deklaratave nxitëse të Vuçiqit.
Qytetarët e Kosovës nuk duhet të panikohen, por e kemi obligim që ta mbushim Fondin për Siguri. Përtej vendit tonë nuk kemi ku të shkojmë.
Në këtë situatë jemi gjithë bashkë, gjithmonë të gatshëm në mbrojtje të Atdheut.