Britania tha se sulmet ruse ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë po pengojnë shpërndarjen e ndihmës humanitare për civilët në zonat ku trupat ruse janë tërhequr.

“Infrastruktura rrugore në konflikt, në zonat e prekura të Ukrainës, ka pësuar dëme të mëdha”, tha Ministria e Mbrojtjes së Britanisë përmes një postimi në Twitter më 16 prill.

“Trupat ruse e kanë përkeqësuar situatën duke shkatërruar ura, duke vendosur mina tokësore dhe duke braktisur veturat ushtarake përgjatë rrugëve kyçe, teksa janë tërhequr nga veriu i Ukrainës”, shtoi kjo ministri.

Kjo ministri tha se shkatërrimi i kalimit të lumenjve në dhe përreth Çernihivit për shembull ka lënë vetëm një urë për qytetarët, të cilët duan ta kalojnë lumin Desna.

“Dëmtimi i infrastrukturës së transportit të Ukrainës tani paraqet një sfidë të rëndësishme në dërgimin e ndihmës humanitare në zonat që më herët kanë qenë të pushtuara nga Rusia”, tha Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.

Rusia është tërhequr nga zonat veriore të Ukrainës dhe ka thënë se do të përqendrohet në rajonet lindore ukrainase, pasi nisi pushtimin e këtij shteti më 24 shkurt.

/TV Malisheva

Share.