Epilogu i zgjedhjeve presidenciale në Francë do të ketë ndikim të madh në Bashkimin Evropian, por edhe në politikën e Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor dhe procesit të zgjerimit, thonë diplomatët në Bruksel.
Në rundin e dytë të zgjedhjeve, francezët do të zgjedhin midis presidentit aktual, Emmanuel Macron, dhe kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.
Në rast të fitores së Macronit, pak a shumë pritet të ketë një vazhdimësi të politikës së Francës në BE, përfshirë edhe për procesin e zgjerimit të bllokut. Por, në rast të një fitoreje të Le Pen, i tërë projekti evropian mund të vihet në rrezik.
Le Pen për vite me radhë ka mbajtur qëndrime kundër BE-së, prandaj deri në rundin e dytë të zgjedhjeve, që mbahet më 24 prill, në Bruksel po mbretëron një nervoz e madhe.
“Nëse fiton Le Pen, jo vetëm zgjerimi i BE-së, por edhe proceset e brendshme në BE do të jenë në rrezik”, thotë një diplomat evropian, i cili foli në kushte anonimiteti, për shkak se institucionet e bllokut evropian kanë një traditë që nuk përzihen në proceset zgjedhore të shteteve anëtare.
Le Pen është mjaft e njohur në institucionet e BE-së sepse ka përvojë edhe si deputete e Parlamentit Evropian. BE-ja gjithmonë ka pasur një vend të posaçëm në fushatat e saj zgjedhore, por jo për të mirë. Ajo gjithmonë ka kritikuar politikën e kufijve të hapur midis vendeve të BE-së, valutën e përbashkët dhe qëndrimin miqësor të bllokut evropian ndaj migrantëve. Megjithatë, ajo tani ka hequr dorë nga ideja që Franca të largohet nga blloku dhe më shumë po flet për “kthimin e sovranitetit të vendeve anëtare”.
Sa i përket Ballkanit Perëndimor, një fitore eventuale e Le Pen do të mund të kishte pasoja. Ajo dhe anëtarët e partisë së saj, Tubimi Kombëtar (Rassemblement National), që janë deputetë në Parlamentin Evropian, kanë pasur qëndrime jashtëzakonisht miqësore me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe kontaktet në rajonin e Ballkanit Perëndimor i kanë zhvilluar pikërisht me njerëzit e afërt me Rusinë.
Partia e Le Pen ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës dhe ka mbështetur liderin e serbëve të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, në tentimet e tij për të rrezikuar unitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës. Deputetët e kësaj partie po ashtu kishin marrë pjesë edhe në manifestimin e ditës që entiteti i Republikës Sërpska e kishte shpallur si festë, që bashkësia ndërkombëtare e ka cilësuar si “festë të jashtëligjshme”.
Le Pen dhe partia e saj po ashtu kanë marrë ndihma financiare edhe nga bankat e Rusisë. Deputetët e kësaj partie në Parlamentin Evropian kishin vëzhguar zgjedhjet e Rusisë, që ishin mbajtur në territoret e okupuara të Ukrainës, edhe pse BE-ja i kishte shpallur të jashtëligjshme ato zgjedhje.
Tani, Le Pen e ka kritikuar pushtimin rus të Ukrainës, por ka përsëritur se nëse zgjidhet presidente e Francës do të angazhohet për lidhje më të ngushta me Rusinë.
Pikërisht, ndikimi i Rusisë në Ballkan është identifikuar nga BE-ja dhe NATO-ja si rrezik për stabilitetin afatgjatë të këtij rajoni dhe për arritjen e qëllimeve të bllokut evropian në këtë rajon.
Por, nën udhëheqjen e Macronit, Franca ka pasur një qëndrim të përmbajtur rreth procesit të zgjerimit të BE-së. Parisi ka insistuar që BE-ja të ndryshojë metodologjinë e zgjerimit dhe kjo gjë ka ndikuar në ngadalësimin edhe më të madh të këtij procesi. Franca po ashtu vlerësohet se është pengesa kryesore për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Edhe pse kishte premtuar se do të angazhohej fuqishëm për avancimin e zgjerimit gjatë kryesimit të Presidencës së BE-së, Franca nuk ka bërë aq shumë në këto tre muajt e parë të udhëheqjes së BE-së dhe kjo i është atribuuar zgjedhjeve presidenciale franceze.
Por, diplomatët në Bruksel janë të bindur se nëse fiton Emmanuel Macron dhe nëse forcat pro-evropiane fitojnë edhe në zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen në qershor, Franca do të jetë më pozitive karshi procesit të zgjerimit dhe do të vazhdojë përkushtimin për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
/TV Malisheva