Shkruan: Kudusi Lama

 “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” apo luftë çlirimtare e Kosovës?

1. Kjo është një pyetje që kërkon përgjigje:

a. prej gjithë qytetarëve të Kosovës, – të cilët sot gëzojnë lirinë, nuk janë të detyruar të mos guxojnë të tregojnë se janë shqiptarë. Qytetarët e Kosovës, janë pjesë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata mund të konsiderohen me shumë të drejtë dhe bindje të pa lëkundshme luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kështu që për mua Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur 2 milionë luftëtarë. Të gjithë kanë qenë nën pushtim. Të gjithë kanë qenë nën rrezikun dhe kërcënimin e ekzekutimit. Të gjithë kanë qenë në kufijtë e fundit të ekzistencës ose mosekzistencës. Prandaj edhe të gjithë e kanë për detyrë të jenë një trup monolit përballë çdo tentative për të na e helmuar historinë e për të na e përdhunuar luftën çlirimtare të Kosovës dhe ushtrinë që e barti atë luftë.

b. prej të gjithë intelektualëve e shkencëtarëve të Kosovës, – që të argumentojnë me bindje padrejtësinë që po bëhet ndaj historisë tonë më të re. Asaj historie që na dha frymëmarrjen, që na dha jetën, që na dha mundësinë të jemi, që na dha identitetin dhe integritetin. Ta marrin në mbrojtje Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e saj. Jo vetëm pse është jona por se është histori e pastër si loti. Po lejuam që të na nëpërkëmbet historia e luftës dhe ushtria që e barti atë luftë, jam i sigurt se kurrë nuk do të jemi intelektualë me integritet dhe me vlera. Pa vlerësuar e dashur veten nuk mund të duash familjen; pa dashur familjen nuk mund të duash atdheun e kombin; pa dashur atdheun e kombin nuk mund të duash shoqërinë; pa dashur shoqërinë nuk mund të jesh i barabartë me të tjerët. Duhet të jemi të barabartë midis të barabartëve. Por kjo arrihet nëse mbrojmë nga goditjet historinë tonë. Ky është misioni i inteligjencies së një vendi a kombi e në rastin tonë i inteligjencies së Kosovës.

c. prej të gjithë politikanëve e politikëbërësve të Kosovës, të cilët nuk mund të jenë me dinjitet përpara botës duke zhvlerësuar ose mohuar a përbuzur dhe akuzuar historinë e vendit të tyre në marrëdhënie me politikanët e politikëbërësit e Europës a të botës, që ta përkrahin luftën e popullit të tyre për liri. Ata duhet të jenë krenarë për luftën çlirimtare të Kosovës, për ushtrinë që e barti atë luftë vigane, për luftëtarët të cilët e përbënë atë ushtri që na dha lirinë, për invalidët që dhanë pjesët e trupit për ta bërë lirinë, për dëshmorët që u ngjitën në piedestal për t’u bërë modeli i luftëtarëve të lirisë dhe për të qëndruar aty në rojet të fitoreve të arritura si garant të përjetshëm.

ç. prej të gjithë qeveritarëve të qeverisjes qendrore e vendore të Kosovës, – që ta duan më shumë atdheun, siç e deshën luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E të duash atdheun do të thotë të nderosh historinë e fitoreve të tij, të mos lejosh që fitoret e atdheut të nëpërkëmben nga askush, të ndihesh mirë nën rrobën e origjinës, të cilës i përket, dhe të jesh vlerësues i veprës së të tjerëve, para se të ndërtosh veprën tënde. Apeloj që qeveritarët të marrin seriozisht në dorë moslejimin e nëpërkëmbjes së historisë së luftës çlirimtare të Kosovës, të ushtrisë që e realizoi dhe të luftëtarëve, të cilët janë aty të gatshëm me ju për të çuar përpara arritjet e deritanishme me gjak e me djersë.

d. prej Parlamentit të Kosovës, – që të mendojë me një zë, në unitet të plotë, se e ka për mision të tij ta thërrasë në raport këtë Prokurorinë e Gjykatës Speciale, për ta dëgjuar dhe për të kërkuar nga ajo t’i zbatojë ligjet për të cilat është krijuar. Ajo prokurori dhe gjykatë nuk ka të drejtë të veprojë jashtë kompetencave që i ka dhënë ai parlament.

prej Presidencës së Kosovës, – që fjalë të parë ta ketë mbrojtjen e historisë dhe të vlerave të trashëguara, me bindjen se vetëm kështu rritet autoriteti i shtetit dhe i kombit. Mbrojtja e luftëtarëve të lirisë dhe e qytetarëve të Kosovës është a-ja e autoritetit të një kryetari shteti.

ë. prej Qeverisë së Kosovës, – që të nderojë luftën çlirimtare, të nderojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, t’i nderojë e t’i dojë luftëtarët, t’i mbrojë vlerat dhe të kërkojë që mos të na përbaltet historia qoftë edhe prej asaj gjykate që e ka pranuar e miratuar si gjykatë të saj, por që ka dalë jashtë kontrollit të ligjeve të Kosovës.

f. prej universiteteve publike e private të Kosovës, – që të ngrenë në këmbë opinionin e studentëve dhe profesorëve, të cilët në unitet të plotë të tregojnë se nuk janë dakord me përbaltjen e luftës çlirimtare të Kosovës dhe emërtimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.

g. prej Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, – e cila e ka për detyrë të argumentojë nëse qëndron apo jo termi “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si historikisht, juridikisht etj.

gj. prej Institutit të Historisë së Kosovës, – i cili duhet të ndalet seriozisht dhe të kërkojë të drejtat historike të luftës çlirimtare të Kosovës, duke hedhur poshtë – nëse duhen hedhur poshtë, të gjitha tentativat për të na e kriminalizuar luftën çlirimtare të Kosovës dhe ushtrinë që e barti atë.

h. prej Institutit Albanologjik të Prishtinës; – i cili duhet të ndërmarrë hapa për të tërhequr vëmendjen e instituteve homologe të gjithë Europës e me tej, që të jap shpjegime shkencore për terminologjinë e përdorur për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.

2. kërkon përgjigje prej të gjithë institucioneve ndërkombëtare si:

a. Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), – që ta shpreh mendimin se si mund e duhet të vendoset drejtësia në vlerësimin e luftës çlirimtare të Kosovës dhe ushtrisë që e barti atë luftë.

b. prej NATO-s, – nëse ishte bashkëluftëtare në rrugën për çlirimin e Kosovës me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, siç deklarohej në atë kohë lufte. Pra tani 23 vjet pas përfundimit të luftës, NATO-ja a mendon se ka qenë bashkëluftëtare e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”?

c. prej Bashkimit Europian; – nëse ishte bashkëpunëtor në rrugën për çlirimin e Kosovës me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, apo ishte bashkëpunëtor i një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”?

3. kërkon përgjigje prej shteteve të zhvilluara si:

a. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, – a vërtetë do të lejojë që lufta çlirimtare e Kosovës të kriminalizohet, Ushtria Çlirimtare e Kosovës të emërtohet “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, si dhe luftëtarët të quhen kriminelë? Shpresoj të merret seriozisht. Shpresoj që SHBA-të të japin vlerësimin për këto çështje.

b. Gjermania, – të na thotë atë që është e pritshme prej Gjermanisë, si një shtet dhe komb i të drejtës dhe të vërtetës që e ka prezantuar veten nëpër histori. A vlerëson se Gjykata Speciale ka të drejtë në emërtimin që ka bërë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës?

c. Franca, – vendi i kulturës, duhet ta thotë fjalën e saj politikisht dhe juridikisht, nëse beson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”?

ç. Mbretëria e Bashkuar, – që njihet për ligjshmërinë dhe fuqinë e arsyetimit ligjor, të thotë fjalën e saj, si dje kur u bë bashkëluftëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bashkë me SHBA-të dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s, ashtu edhe sot që po duan t’ i kriminalizojnë veprimet që ka bërë në këtë luftë, duke e emërtuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.

A kanë fuqi këta përbërës qytetarë, shtetërorë, shoqërorë dhe ndërkombëtarë, për të dhënë përgjigje për pyetjen e mësipërme? A mund të thotë dikush se kur është mjaft? A mund të sqarojë dikush se cila është qytetaria që i duhet përgjigjur me qytetari? A mund të na tregojë dikush se cila quhet drejtësi? A mund të arsyetojë dikush nëse janë ose jo njerëzit të barabartë mbi tokë? A mund të na tregojë dikush se cila duhet të quhet e vërtetë? A mund të na tregojë dikush se kur duhen marrë armët për të luftuar armikun? A mund të na qartësojë dikush se kush quhet armik? A mund të saktësojë dikush se kur shteti duhet të mbrojë qytetarët e tij? A mund të bëhet e qartë se deri ku e ka kufirin liria e fjalës dhe e mendimit? A mund të na saktësojë dikush, nëse kur dikush vret atë që i hynë në shtëpi për ta vrarë, a bën krim dhe ai a quhet kriminel? A mund të jepet përgjigje për pyetjen se cila është përgjegjësia individuale dhe cila është përgjegjësia kolektive për një krim që mund të kryhet nga një individ, sipas mendimit e vendimit të tij ose për qejfin e tij? A mund të bëj dikush qartësimin a ka të drejtë Prokuroria të sillet me armiqësi me të arrestuarit gjatë procesit të hetimit dhe gjykimit apo duhet të punojë me korrektësi e profesionalizëm? A mund të thotë dikush pse duhet t’i lejojë vetes gjykata, që të mos pranojë të flasë i gjeturi në bankën e të akuzuarit atë që ai dëshiron ta shpreh, por të tregojë mosdurim dhe ta ndërpresë fjalën e tij? A mund të qartësohet cila është e drejta që dëshmitarët të jenë të fshehur nga i akuzuari dhe dëshmia e tyre të merret si e vërtetë?

Vlerësoj se përgjigjet e drejta për këto pyetje, do të kishin qartësuar deri diku situatën që është krijuar në Kosovë dhe në opinionin europian e botëror me instalimin e Gjykatës Speciale të Kosovës (Ndërkombëtare) për krimet e luftës të supozuara se janë bërë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Dhe që këtu, unë pranoj se aktualisht Gjykata Speciale në Hagë nuk e ka ngritur drejtë padinë. Ajo duhet – në radhë të parë të kishte paditur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për krimin e vetëkrijimit në një tokë të pushtuar nga Serbia dhe të prishjes së planeve serbe për tjetërsimin e trojeve të shqiptarëve, të cilin kanë filluar ta kryejnë që nga vitit 1832. Kështu që, kjo gjykatë duhet të kishte filluar nga ky akt akuzimi Serbia e pagoi Serbia Dick Marty-n.

Gjykata Speciale – një Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale kundërshqiptare

Prej këtej unë kuptoj se jemi përballë një Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale kundërshqiptare nën dirigjimin e Këshillit të Europës për ta kënaqur Serbinë. Jemi përballë një Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale kundërshqiptare sepse duhet të kënaqen interesat e armiqve të shqiptarëve me të cilët jemi ndeshur historikisht për të mbrojtur trojet tona. A ka mundësi që Europa të jetë kaq kundërshqiptare? Si ka mundësi që Europa të jetë kaq e padrejtë me shqiptarët duke u thirrur në drejtësinë? A deri në këtë shkallë Europa moderne duhet të shpërfaqë arrogancën e saj për interesat e të dashurve të saj, pavarësisht sa kriminelë janë? A deri këtu duhet të shkojë Europa, sa edhe luftën e shqiptarëve për liri, të tentojë ta ktheje në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale? Cila është qytetaria e shtetarëve europianë, sepse jam i sigurt se po të pyeteshin qytetarët evropianë, do t’i brohorisnin lirisë e jo padrejtësisë.

Ta emërtosh një ushtri që bën luftë çlirimtare, Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, është krimi më i madh që mund të bëhet ndaj një populli e një kombi.

Mirëpo a e di Europa se lufta çlirimtare e Kosovës është kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila është drejtuar dhe udhëhequr nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se nëpërmjet atij shtabi ka funksionuar një udhëheqje kolegjiale dhe se që nga plani strategjik politiko – ushtarak i luftës, në asnjë direktivë, në asnjë urdhër, në asnjë udhëzim, në asnjë komunikatë, në asnjë thirrje dhe në asnjë tubim, nuk ka një rast të vetëm, që ky shtab të ketë ndërmarrë hapa kriminalë, të ketë bërë veprime kriminale, të ketë krijuar situata që njësitë e repartet të jenë kriminalizuar.

Në këto kushte, ku i lind e drejta kësaj gjykate e cila është krijuar mbi themele kriminale, të krijojë një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe të na thotë: “tani sipas asaj që dua unë ju shqiptarët jeni pronarët e kësaj ndërmarrjeje sepse kështu dua unë”? Kjo gjykatë që vetë i ka themelet mbi krim, sepse është krijuar për të kënaqur shpifjet serbe, sipas një raporti kriminal, të argumentuar katërcipërisht kriminal, sipas një vendimi emocional të Këshillit të Europës, që ka ardhur si rrjedhojë e shpifjeve të raportit të Dick Marty-t, që është raporti i Serbisë, por që i paguari i saj Marty hodhi firmën mbi të.

Nisur nga sa më sipër, si ka mundësi që kjo prokurori special bëri përzgjedhje selektive dhe mori në burg katër prej anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? Po sikur president, kryetar parlamenti, kryetar partie kryesore, apo kryetar grupi parlamentar në parlamentin e Kosovës të ishin katër të tjerë, jo Hashim Thaqi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, si do ta kishin emrin të burgosurit e kësaj prokurorie dhe cilët do t’i kishte në bankën e të akuzuarit sot ajo gjykatë? Jam i sigurt se jo këta të katër, por katër emra të tjerë që do të gjendeshin në ato funksione.

Për fatin tuaj të keq, jeni bërë me turp, si Parlamenti e Europës ashtu edhe kjo gjykatë e panderuar. Me turp, sepse po veproni akoma me mendësitë e shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX, kur shqiptarët dhe trojet e tyre konsideroheshin vetëm si kurban, për interesat europiane, për të kënaqur shijet sllave dhe greke nëpërmjet bërjes kurban të shqiptarëve e trojeve të tyre. Kjo duket sot kur për të kënaqur serbët marrin si të pandehur udhëheqësit e shqiptarëve, vetëm pse ata janë të përkushtuar për të bërë të fuqishëm kombin shqiptar. Sepse ata kanë luftuar dhe punojnë me shumë forcë, për të mos e lënë Serbinë të ketë më tej fuqi mbi trojet shqiptare.

Por ja që aktakuzat e ngritura në Dhomat e Specalizuara të Kosovës me seli në Hagë, ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, i ngarkojnë ata me barrën e organizimit dhe drejtimit të një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”. U gjet pra një term për të fyer dhe akuzuar shqiptarët, për të fyer dhe akuzuar luftëtarët, për të fyer dhe akuzuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për të fyer dhe nxjerrë jashtë parametrave të së drejtës luftën çlirimtare të Kosovës. Shqiptarët luftëtarë pra, nuk paskan qenë tjetër veçse pjesëtarë të një “organizate kriminale”, dhe kjo sepse kanë luftuar për çlirim, dhe këtë etiketë fyese dhe akuzuese e vendos Europa. Ajo Europë që dje ishte bashkëluftëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ajo Europë që dje i kishte burrat e saj në luftë si pjesë përbërëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo Europë që i pa me sy vetë krimet serbe mbi qytetarët shqiptarë të pa armatosur në Kosovë. Pas 20 vjetësh pra ajo Europë u bë pishman, për luftën që ka bërë për çlirimin e Kosovës. A mos do të arrij deri atje sa t’i kërkojë falje Milosheviqit për veprën e saj çlirimtare?

Në luftë gjithsecili është përgjegjës për veprimin që kryen

Sipas vlerësimeve të kësaj gjykate speciale të panderuar, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk paska bërë luftë çlirimtare, por qenka marrë veç me organizime e kryerje krimesh, pasi vetë termi “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” – nënkupton që të gjithë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk janë tjetër veç pjesëtarë të kësaj ndërmarrje, sepse këta luftëtarë (Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi), nuk akuzohen në asnjë nga pikat e aktakuzës se kanë kryer krime me dorën e tyre, por se kanë organizuar kriminalitetin, si drejtuese e udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kanë qenë, (megjithëse kam thënë më lartë, që këta janë përzgjedhur veçse ishin funksionar të shtetit të lirë të Kosovës, pasi udhëheqës të luftës ka pasur edhe të tjerë e edhe me funksione më të larta se të tyre. Prandaj kam shtruar pyetjen më lartë, se nëse do të ishin të tjerë në funksionet që qenë të akuzuarit – si do ta kishin emrin të akuzuarit në Hagë sot?) në atë periudhë për të cilën akuzohen. Pra, ata ishin një grup, që sipas kësaj prokurorie politike e quajtur speciale, nuk kanë bërë punë tjetër, por veç kanë punuar në grup me dijeni të plotë e me ndërgjegje të qetë, për të planifikuar e kryer krime.

Edhe në luftë, gjithsecili është përgjegjës për veprimin që kryen. Në luftë ushtari është mbret, ai ka armë, ka pozicionin, ka municionin, ka armikun përballë dhe e shkreh armën kur e vlerëson se e ka vënë mirë armikun në shënjestër, por në asnjë mënyrë nuk e shkreh armën pa objektiv veçse ka marrë urdhër të bëjë një gjë të tillë. Kështu, të mendosh se për veprimet e ushtarit duhet marrë nën përgjegjësi dikush tjetër, kjo nuk ha arsye.

Veprim i pabazuar dhe absurd

Ishte një kohë kur gjithë faktorët ndërkombëtarë e kanë njohur, vlerësuar, miratuar dhe përkrahur si të drejtë dhe të patjetërsueshme veprën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si një vepër humane, që ka marrë përgjegjësinë t’ia japë lirinë atdheut dhe kombit të shqiptarëve të pushtuar e të kolonizuar.

Por sot po jepet një emërtesë ndryshe. Dhe jepet nga një institucion e strukturë që quhet e Kosovës, siç është kjo gjykatë e panderuar speciale në Hagë, që kërkon të veshë ushtrinë çlirimtare  me uniformën e kriminalitetit.

Mirëpo, ku janë direktivat që Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka lëshuar që ushtria të cilën e ka pasur nën udhëheqje të bëjë krime? Ku janë urdhrat, udhëzimet, rregulloret, deklarimet etj.? Nëse do të kishte dokumente të tilla, edhe unë do të isha dakord, që këta burra të akuzohen dhe të gjykohen se kanë qenë anëtarë dhe funksionarë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ashtu sikurse do të kërkoja që të merren të pandehur edhe anëtarët e funksionarët e tjerë të atij shtabi. Por kur nuk ka asnjë dokument të tillë, ku qëndron e drejta që këta burra të merren të pandehur? Apo kjo është thjeshtë e drejta e të fortit; e drejta e atij që abuzon me forcën që ka për interesat e veta; e drejta e atij që e rrotullon fjalën dhe ligjin vetëm në interes të vetes a të të dashurve të vet. Ky veprim është sa i pabazuar në të drejtën ligjore, aq edhe absurd.

Që një krim të vërtetohet, duhet të gjendet lidhja e të akuzuarit me krimin

Me misionin dhe veprimtarinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës hapësira e botës ndërkombëtare dhe faktorët e saj politikë, shoqërorë, ligjorë, ushtarakë, qytetar dhe njerëzor, është njohur që në atë kohë kur zhvillohej lufta dhe është bërë pjesë e atij misioni dhe asaj lufte, sepse ka vlerësuar se ajo ushtri kishte një mision human, çlirimtar dhe njerëzor. Ndërsa sot pas dy dekadash, ajo luftë tentohet të emërtohet “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.

Dëgjojmë e lexojmë edhe analiza e analistë, që mendojnë e shprehen se krimet e pretenduara të shpalosura nga ajo prokurori e gjykatë speciale, mund të vërtetohen. Është e habitshme të dëgjosh të tilla mendime e analiza edhe nga juristë, sepse, që një krim të vërtetohet, duhet të gjendet lidhja e të akuzuarit me krimin. Kurse të akuzuarit në rastin tonë thjeshtë akuzohen pse kanë qenë në funksione në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata as kanë urdhëruar një krim, as kanë dijeni se është kryer një krim, as kanë marrë pjesë në kryerjen e një krimi, as kanë parë të jetë kryer një krim, as kanë marrë raport se është kryer një krim, ata thjeshtë akuzohen se kanë kryer detyrën e tyre në luftë. Pasi sipas kësaj logjike lind e drejta të akuzohet çdo drejtues në çdo institucion, organizatë ose shtet, për çdo veprim që mund të kryej një anëtar i tij. Sipas kësaj logjike, nëse një qytetar i Kosovës kryen një krim diku në territorin e Kosovës ose jashtë tij, duhet marrë i pandehur presidenti, kryetari i parlamentarit ose kryeministri i Kosovës. Kjo është logjika më e pakuptimtë.

Kështu ka ndodhur me katër anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj ata që merren me analiza janë të lutur të thirren në logjikën dhe ligjin, jo thjeshtë ta analizojnë çështjen pa e lexuar as aktakuzën dhe pa e ditur se cili ka qenë pozicioni i këtyre burrave gjatë luftës dhe si ka funksionuar procesi luftarak, kur Kosova ishte e mbushur pëllëmbë e policë, ushtarë, paramilitarë, kriminelë e civilë serbë të armatosur. Secili të vihet përballë kësaj pamjeje dhe të analizojë veprimtarinë e djemve në luftë.

I bëj këto kërkesa për të gjithë ata që duan të jenë të drejtë dhe të ndershëm në këtë botë. Për të gjithë ata që të keqen e tjetrit e konsiderojnë të keqe edhe për veten.

Këto kërkesa që bëj, nuk vlejnë vetëm për serbët dhe ata që u janë edhe sot besnikë atyre, nuk vlejnë për ata që janë aktualisht në shërbim të serbëve dhe nuk vlejnë as për ata që thjeshtë kanë urrejtje për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn, e të tjerë luftëtarë që kanë kaluar e do të kalojnë në atë portë të pandershmërisë e të padrejtësisë më të pakuptimtë të kohës moderne.

Nuk duhet të luhet me historinë për hatër të politikës

Është vlerë kombëtare të vëmë në vëmendje të gjithë botës faktin që, nuk është normale të shkojmë akoma me mendimin se mund të luhet me historinë për hatër të politikës. Dhe të bëjmë të qartë se ne shqiptarët nuk do të lejojmë më që të bëhet politikë me fatin tonë, me historinë tonë, me hapësirat tona territoriale dhe me të ardhmen tonë. Këtë mendoj në radhë të parë duhet ta bëjmë të qartë për vete dhe në të pastajmen për të gjithë të tjerët. Për të krijuar te të gjithë bindjen e plotë se nuk duhet e nuk do të lejojmë që të ndyhet lufta çlirimtare e Kosovës dhe ushtria që barti atë.

Ata që rrëmbejnë armët për të fituar lirinë nuk marrin lirinë e të tjerëve

Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”. Nuk e kuptoj, a e kanë të qartë ata që kanë përpiluar këtë akuzë, kush konsiderohet luftë çlirimtare, si dhe cilat janë parimet e një lufte çlirimtare? Mendoj se të ngresh një akuzë, pse luftëtarët duan të çlirojnë vetveten dhe atdheun e popullin e tyre me luftë prej një pushtuesi, është loja më e rrezikshme që bën një institucion me forcën e tij. E pikërisht këtë bëri Këshilli i Europës dhe këtë po bën kjo prokurori në dëm të luftës e të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Duke ngritur aktakuzë me këtë emërtesë false dhe të pathemeltë, prokurorët janë përpjekur t’i ndërtojnë akuzat sikur kanë përballë kriminelë të nivelit të ultë, jo udhëheqës të një ushtrie të madhe, që ka bërë një luftë heroike e ka çliruar popullin dhe atdheun e vet. Prokurorët shkojnë deri atje, sa të shkruajnë e pretendojnë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, personalisht kanë marrë pjesë në kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve. Sa të ultë këta prokurorë, sa nivel i ultë, sa të panivel duken që në këtë akuzë, që i trajton udhëheqësit si të ishin hetues krimesh, policë rrugorë, gardianë burgu a roje portash.

Jo more zotërinj, nuk ishin të tillë udhëheqësit tanë! Ata ishin liderë me parime. Ata ishin çlirimtarë, se për këtë i kishin rrëmbyer armët, prandaj edhe nuk ishte në misionin e tyre të merrnin lirinë e të tjerëve.

Por duket se këta të cilët merren me këtë çështje, janë përzgjedhur që të njohin vetëm interesat e atyre që i kanë vënë në detyra, të njohin vetëm interesat e Serbisë dhe të atyre që i paguajnë më shumë. Prandaj shihet se ata nuk kanë as konceptin e atdheut, luftës për liri, marrjen e përgjegjësisë për atdheun etj. Sepse po të kishin vetëm një koncept të thjeshtë do ta vinin veten në rolin e këtyre burrave të akuzuar në kushtet e luftës për liri dhe të vlerësonin se si do t’i kryenin detyrat e tyre e a do të kishin kohë të merreshin edhe me ato budallallëqet me të cilat i ngarkojnë burrat e udhëheqjes së luftës në këtë aktakuzë të pathemeltë.

Akuza jashtë logjikës së kohës së luftës

Për luftëtarët bëhen akuza se kanë bërë transferime, ndalime dhe burgosje të njerëzve të ndryshëm, kur ata në kohën kur luftonin e për të cilën akuzohen, nuk kishin mundësi të siguronin strehime për luftëtarët, nuk kishin mundësi të siguronin ushqime për luftëtarët, nuk kishin mundësi të bënin transportime për luftëtarët e për të furnizuar frontet e luftës me armatime, municione e pajisje luftarake, jo më të kujtoheshin për të siguruar këto elementë për të ndaluar. Por ja që ai i cili ka mundësi të akuzojë, mund të bëjë edhe akuza të tilla, që janë krejt jashtë logjikës së asaj kohe, pjesë e të cilës kam qenë dhe e kam përjetuar me të gjitha shqetësimet që ka bartë, prandaj edhe më duken shumë banale të gjitha ato akuza që u ngarkohen luftëtarëve, duke vënë pesha të tilla vetëm pse kanë mundësi ta bëjnë, pavarësisht si është e vërteta.

Krime të supozuara apo krime të ndodhura?

Akuzat bëhen për krime të supozuara, që mund të ketë bërë një luftëtar diku në hapësirat e Kosovës, të Shqipërisë, të Gjermanisë, Zvicrës, Francës, Suedisë, Norvegjisë, Finlandës, Italisë, ShBA-ve, Australisë, Zelandës së Re … e diku tjetër në gjithë hapësirat europiane e botërore, ku kjo ushtri e lavdishme ka pasur bazat e saj dhe ky Shtab i Përgjithshëm i ka udhëhequr ato baza me shumë përgjegjësi dhe me shumë korrektësi ligjore. A ka logjikë të mbahet përgjegjësi për veprimet e një ushtari në frontin e luftës, pasi ai edhe mund të çmendet e mund të bëjë veprime të pa logjikshme? Po arsyetoj sikur krimet të jenë të vërtetuara, jo të supozuara siç i paraqet aktakuza, kur thotë: se të pandehurit “si eprorë, janë përgjegjës për krimet e kryera nga vartësit e tyre. Ata dinin arsyet se krimet e paraqitura në këtë aktakuzë, do të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe dështuan të ndërmarrin veprimet e duhura që të parandalonin krimet e tilla ose të ndëshkonin kryerësit e këtyre krimeve”. Pra, ata e dinin, sepse kështu supozon prokurori, ani pse nuk ka asnjë dëshmi për ta vërtetuar këtë. Por thjeshtë prokurori pretendon se ky ose këto krime janë kryer dhe janë kryer patjetër nga një luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se ky luftëtar më parë ka vënë në dijeni shtabin e përgjithshëm e pastaj ka kryer krimin që ka dëshiruar. A ka një shembull si ky në historinë botërore? A është në gjendje të japë sqarime prokurori për këtë? Mendoj se të ngresh supozime të tilla të pathemelta dhe të marrësh burrat e shtetit pas hekurave vetëm pse duhet të likuidohen nga politika për të përkëdhelur Serbinë, ky është krim nazist. Ky lloj krimi nuk e ka shokun.

Që të pretendosh në këtë mënyrë, duhet të kesh të dokumentuar krimin e kryer, jo të supozosh se është kryer një krim. Duhet të kesh pas hekurave kryesin e krimit, i cili të ketë deklaruar se ka marrë urdhër nga instanca më e lartë për të kryer krimin. Dhe pasi ta kesh pas hekurave urdhëruesin e kryerjes së krimit, mund të ecet deri në krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të futen edhe ata pas hekurave të burgut e të marrin dënimin që meritojnë. Kurse në rastin e kësaj gjykate kemi një krim të supozuar, një kryes krimi pa emër, një urdhërues të panjohur, por përgjegjës udhëheqësit e luftës, të cilët kanë zbatuar me luftëtarët parimet më të spikatura të sjelljes e veprimit të ushtarit në luftë.

Parimet mbi të cilat kanë vepruar luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Dhe sa për t’i njohur kjo prokurori naziste dhe kjo gjykatë zvarritëse, po ju citoj parimet mbi të cilat janë mbështetur, janë urdhëruar të veprojnë dhe kanë vepruar luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës:

  1. Asnjë luftëtar nuk ka të drejtë të dëmtojë sllavët që janë banorë të hershëm në territoret tona, përveç atyre që qëndrojnë me armë në dorë kundër qëllimit shqiptar për liri e pavarësi;
  2. Asnjë luftëtar nuk ka të drejtë të djegë shtëpitë, rrënojë kishat serbe;
  3. Ndalohet rreptësishtë grumbullimi i plaçkës së luftës nga luftëtarët. Plaçka nuk është pjesë e luftës;
  4. Asnjë luftëtar nuk ka të drejtë të shëmtojë trupat e të vrarëve të armikut, as t’i zhveshë armiqtë e vrarë, të plagosur ose të zënë robër;
  5. Veprimtaria luftarake të jetë e gjallë dhe intensive vetëm kundër ushtrisë, mercenarëve dhe paramilitarëve, edhe në qoftë se armiku bën mizori ndaj shqiptarëve pa armë, për asnjë arsye nuk duhet të veprohet jashtë këtij standardi;
  6. Sllavët si banorë të hershëm në territoret shqiptare, të cilët me kohë janë vendosur dhe kanë jetuar së bashku me shqiptarët, si dhe mjedisi të ruhen me forca;
  7. Kot e pa nevojë as gjaku i popullit tonë, as gjaku i popullit të armikut s’duhet të derdhet. Por, aty ku është nevoja,asnjë luftëtar të mos guxojë të kursejë aspak gjakun e vet e të të vetëve;
  8. Të huajt që vijnë në territoret ku luftohet për të parë veprimet luftarake e për t’u njohur me situatën, qofshin evropianë apo amerikanë, diplomatë, politikanë apo gazetarë etj., të ruhen me njerëzit më besnikë dhe më të komunikueshëm;
  9. Të vrarët shqiptarë nga popullata e masakruar të mos varrosen deri sa të vijë komisioni i huaj, nga OSBE-ja, ose, nga organizma të tjerë ndërkombëtarë. Mizoritë e bëra prej armikut, të evidentohen dhe të shënohen saktë për t’ua treguar Evropës dhe Amerikës;
  10. Na takon e drejta për të luftuar deri në vetëmohim për të arritur që të jemi të barabartë me të gjithë popujt e tjerë, ta bëjmë luftën e fitojmë lirinë;
  11. Kosova është mbjellë me kockat e armiqve të ardhur nga ana e anës për ta pushtuar, aq sa mund të mbillet edhe me farën e bimëve frytdhënëse, dhe është vaditur me gjakun e pastër të luftëtarëve të lirisë, aq sa nuk është vaditur dot me ujë, le të jetë e të mbetet obelisku kombëtar shqiptar;
  12. Jemi shqiptarë, të jemi gjithmonë të bashkuar për të krijuar të tashmen dhe për ta siguruar të ardhmen;
  13. Shqiptarët kanë qenë dhe do të jenë përjetësisht njerëz që i bëjnë kurban të gjitha, me shtëpi, me mall, me katandi dhe marrin malet, bëjnë ushtri dhe luftojnë kundër paudhësive e kundër barbarizmave të ushtrisë e të policisë serbo-sllave, si dhe kundër pushtuesve të tjerë. Luftëtarët e lirisë kanë besuar, besojnë dhe do të besojnë, se vetëm kështu mund ta dëbojnë pushtuesin serb nga Kosova, duke u dhënë një mësim model të gjithë kombeve të shtypura;
  1. Të ndalohen serbët, që të groposnin përgjithnjë ndjenjat atdhetare të popullit të Kosovës, për të siguruar përjetësisht pushtetin në këto toka të begatshme që janë shqiptare, këtë do ta bëjmë me luftën tonë pa kompromis;
  2. Të mos zmbrapsemi as para tendencës së kolonizimit gradual, as para forcës brutale të pushtetit të organizuar shtetëror të armikut serb të ulur në trojet tona, të luftojmë dhe të fitojmë;
  3. Të luftojmë për të mbrojtur familjet tona;
  4. Të luftojmë me vetëmohim që tokën dhe nëntokën tonë ta punojmë vetë, ta shfrytëzojmë vetë dhe ta gëzojmë vetë;
  5. Të luftojmë për ta fituar luftën, të kemi lirinë, të çlirojmë edhe gjuhën tonë, që të arrijmë të bëhemi popull i arsimuar në gjuhën e lirë kombëtare;
  6. Të luftojmë për ta fituar lirinë, për të bërë që shkencëtarët e Kosovës të mos privohen më nga e drejta për të botuar veprat e tyre, që trajtojnë trashëgiminë historike-kulturore të kombit shqiptar, që djemve dhe vajzave tona të mos u privohet e drejta të shkollohen në gjithë hierarkinë shkollore, në gjuhën amtare dhe me mendësi shqiptare;
  7. Të luftojmë për të arritur të mos lejojmë që të kemi mungesa të elementeve të barazisë me kombet e tjera, të mos diskriminohemi për përkatësi kombëtare, të mos na refuzohet dialogu me popullin tonë, me kombet e tjera, me politikën dhe diplomacinë botërore;
  8. Të luftojmë për të ndaluar njëherë e mirë spastrimet e mëtejshme të Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit dhe Pollogut nga shqiptarët, që gjuhën tonë ta përdorim për të shprehur atë që duam, që të ndërtojmë ashtu si duam, që të vulosim e të firmosim shqip, që vendet tona t’i thërrasim me emrat e lashtë të gjuhës tonë, që popujt e tjerë t’i emërtojmë shqip dhe të komunikojmë me ta shqip, që djemtë e vajzat tona t’i emërtojmë me emrat tonë të etnitetit të lashtë, që pas emrave e mbiemrave tanë të mos vëmë më kurrë prapashtesën “viç”, që djemtë tanë të punojnë në vatrën e tyre, që u lejon mundësinë të jenë edhe krenarë edhe të pasurohen, për të mos marrë më kurrë rrugët e botës për një copë bukë. Për këto të jemi të gatshëm të luftojmë në çdo kohë dhe të bëjmë sakrificat më të mëdha deri sa të japim edhe jetën tonë;
  9. Të fitojmë luftën e lirinë për të bërë që të jemi pjesë e familjes së qytetarëve të lirë të botës, duke respektuar kombet e tjera dhe në asnjë rast të mospërfitojmë për vete në dëm të tyre, ashtu siç dëshirojmë dhe luftojmë, që për vete të kemi të drejta për ekzistencë dhe progres njerëzor e paqësor, të dëshirojmë të njëjtën gjë edhe për kombet e tjera, dhe kur të kemi mundësi të luftojmë që edhe ata të kenë atë që u takon, sikurse edhe ne, të mbrojmë lirinë tonë dhe të kombeve të tjera, të drejtën për vetëvendosje, për të jetuar në paqe, siguri e stabilitet dhe për të ndërtuar ardhmërinë;
  10. Të luftojmë me shumë forcë, pasi pa përdorimin e forcës së armës, asnjëherë armiqtë nuk na e kanë dëgjuar zërin. Prandaj, edhe në momentet e luftës çlirimtare të Kosovës, faktorit politik shqiptar i dha vitalitetin e duhur dalja në skenën e luftës së UÇK-së, sepse, në kushtet tona, vetëm me ndihmën e forcës së organizuar ushtarake mund dhe do të mundësojmë ndreqjen e padrejtësive ndaj kombit shqiptar, si dhe do të shpëtohet Kosova nga copëtimi i planifikuar me hollësi nga pushtuesi serb, që synon serbizimin e saj. T’ia njohim vlerën forcës duke vlerësuar edhe urtësinë e qytetarinë;
  11. Të luftojmë që të mbyllet njëherë e mirë procesi i mendësisë perandorake të Serbisë, për të vërtetuar edhe një herë se një shtet që ndërtohet e zgjerohet mbi masakrat ndaj të tjerëve, nuk mund të ekzistojë gjatë dhe nuk mund të ketë dhe të ndërtojë të ardhme. Vetëm kështu bëhet e mundshme që të evropianizohemi, pasi një vend i pushtuar, siç është Kosova dhe trojet e tjera shqiptare, nuk mund të punojë për horizonte evropiane. Është kuptuar qartë se, në radhë të parë, duhet të luftojmë për t’u çliruar nga pushtimi, për të vendosur në vend nderin, dinjitetin dhe identitetin tonë, që i kemi të nëpërkëmbur;
  12. Të luftojmë që të mos lejojmë të vazhdojë më tragjedia e Kosovës,që është rezultat i një plani të hollësishëm dhe të paramenduar të serbëve, për sulm mbi një popull për përkatësinë etnike dhe fetare të tij, sulm i cili bazohet në filozofinë e përfitimit të tokave,duke shfarosur banorët etnik;
  13. Të luftojmë që të bëjmë ta kuptojnë të gjithë, se detyra e njeriut është të ndërtojë jetën, të mbrojë jetën, të pasurojë jetën dhe të ngrejë në piedestal mbrojtjen e vlerave hyjnore të njeriut, që është produkt i dashurisë dhe nuk lind kurrë nga urrejtja.

Këto parime, sa qytetare, aq edhe logjike, janë ato mbi të cilat janë mbështetur programet dhe planet politike e ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat kanë qenë të detyrueshme për të gjithë luftëtarët e asaj ushtrie.

A ka program për krim në këto parime?

A mund të jetë Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale një udhëheqje lufte që vendos si standard parime të tilla për të gjithë luftëtarët e ushtrisë që udhëheq?

Parimet që kanë udhëhequr serbët në procesin e pushtimit dhe të tjetërsimit të trojeve shqiptare

Ndërsa në qoftë se Prokuroria Speciale ka dëshirë të dijë se cilat kanë qenë parimet serbe të ngritura në ligj, përpunuar me plane e programe shtetërore, po i rendisim në vijim.

Parimet që kanë udhëhequr serbët në procesin e pushtimit dhe të tjetërsimit të trojeve shqiptare, janë:

  1. Të vriten shqiptarët ndonëse paqësorë; të burgosen e të diskriminohet inteligjencia, shkencëtarët, mësuesit, arsimi, gjuha e kultura shqiptare;
  2. Të pastrohen trojet shqiptare të pushtuara nga trashëgimia e hershme ilire, për të zhdukur lashtësinë e banimit të këtyre trojeve nga shqiptarët;
  3. Sa më tepër shqiptarë të zhduken apo të shpërngulen me forcë, aq më të mëdha janë meritat e çdo serbi para atdheut;
  4. Të shfarosen krerët më të rrezikshëm shqiptarë nëpërmjet një plani të studiuar mirë. Kjo të arrihet nëpërmjet nxitjes së vazhdueshme të grindjeve, të gjakmarrjes ose vrasjes së krerëve të njohur duke paguar persona të ndryshëm;
  5. Në plan të parë të pushtimit, sundimit dhe shfarosjes për pastrimin etnik të trojeve shqiptare të jetë brigandazhi. Bandat serbo-malazeze të bëhen tmerri i banorëve, t’i shfarosin dhe t’i shpërngulin ata;
  6. Persekutimi i shqiptarëve të jetë i shfrenuar. Përveç persekutimit, shtypjes dhe shfarosjes masive, të bëhet edhe përgatitja e opinionit serb nëpërmjet denigrimit të figurës shqiptare në tërësi dhe të çdo shqiptari, në veçanti;
  7. Të bëhen të gjitha përgatitjet dhe të arrihet që trevat e forta dhe kompakte të shqiptarëve të shkatërrohen sa më shpejt, duke futur në mesin e tyre të paktën 50 për qind të popullsisë serbo-sllave;
  8. Të organizohet e të kryhet “çarmatimi” i popullsisë shqiptare duke armatosur njëkohësisht popullsinë serbe;
  9. Çdo shqiptar duhet të pagëzohet në fenë ortodokse, duke bërë përpjekje që brenda disa brezave të serbizohet gjithë populli. Që brenda një kohe të shkurtër asnjë shqiptar të mos guxojë të flasë gjuhën shqipe;
  10. Shqiptarët në trojet e tyre duhet të jenë robër. Ata duhet që kur kolonët sllavë të vendosen në djerrina, të bëjnë kthimin e tyre në toka të punueshme. Të detyrohen të japin kontribut ose të punojnë angari për ndërtimin e shtëpive të kolonëve, bile, edhe t’i strehojnë në banesat e tyre. Kolonët kanë të drejtë t’ua marrin tokën shqiptarëve bashkë me të mbjellat ende të pakorrura, duke bashkërenduar dhunën e tyre me autoritetet. Ata kanë të drejtë t’u heqin familjeve shqiptare çdo mjet dhe mundësi jetese;
  11. Të bashkohen me Serbinë krahina si Shkodra dhe një copë e Shqipërisë së Veriut;
  12. Duke pushtuar Kosovën dhe duke tentuar shtrirjen e mëtejshme, po vëmë në vend të drejtat tona historike që kemi pasur me 1389;
  13. Të nacionalizohen plotësisht nga serbët krahinat përreth maleve të Sharrit. Kjo do të thotë që të groposen përgjithnjë të drejtat e shqiptarëve për të sunduar trojet e tyre dhe të sigurohet përgjithnjë pushteti serb në këto toka;
  14. Me shqiptarët për shfarosjen e tyre duhet vepruar në dy plane: me kolonizimin gradual dhe me forcën brutale të pushtetit shtetëror. Pra, ngushtimi gradual i shqiptarëve me anë të kolonizimit, kombinuar me shpërnguljen masive;
  15. Analfabetizmi të jetë një nga fushat e mbajtjes së shqiptarëve nën sundim. Vetëm ai shqiptar që nuk ka arsim, është i padëmshëm, pasi ai nuk ka mundësi të njohë trashëgiminë historike dhe kulturore të kombit shqiptar. Prandaj, të kemi sa më shumë shqiptarë analfabetë;
  16. E drejta e lirisë, demokracisë, dinjitetit dhe kulturës, është vetëm e serbëve. Shqiptarët duhet t’i kenë ato të kufizuara;
  17. Serbët këndojnë: “Edhe në ethet e vdekjes, derisa zemra të punojë, do të kërkojmë, që edhe në atë botë këta njerëz të mos jenë fqinjët tanë”;
  18. Asgjë nuk duhet të ndodhë apo zhvillohet jashtë interesave serbe, qoftë edhe ngjarjet e rëndësishme historike, duhet të jenë ashtu siç duan serbët, jo ashtu siç kanë qenë apo ndodhur me të vërtetë në kohën e tyre;
  19. Të bëhemi predikues të lirisë, të demokracisë dhe të së vërtetës, duke luajtur rolin e një prokurori publik kundër një populli, siç është populli shqiptar nën sundimin serb;
  20. Të vihen e vilen taksa për çdo lindjeje fëmijësh shqiptarë;
  21. Ndërtimet urbane në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare të bëhen vetëm sipas trashëgimisë urbane të Serbisë, vulat dhe firmat të jenë vetëm serbisht, është e pakuptueshme që ato të jenë shqip. Emrat e vendeve duhet të ndërrohen për të humbur njëherë e mirë çdo shenjë e prejardhjes së këtij kombi;
  22. Emërtimi i kombeve dhe popujve të bëhet vetëm serbisht. Po kështu, duhet të zhduken njëherë e mirë emrat kombëtar shqiptar të njerëzve. Ata duhet të emërtohen vetëm më emra serbë;
  23. Emigrimi duhet të mbetet një nga rrugët më me efektivitet për shpopullimin e viseve shqiptare;
  24. Kisha serbe duhet të propagandojë “gjenocidin” e shqiptarëve kundër serbëve. Shqiptarët të quhen nazistë;
  25. Kosovarët të zhvishen nga identiteti i tyre, nga shtëpitë e tyre, nga emërtimet, kujtimet dhe arkivat e tyre. Edhe të gjithë shqiptarët mund të zhduken në emër të Serbisë së Madhe;
  26. Të shfrytëzojmë kohën për të pastruar dhe serbizuar sa më shumë territore shqiptare, për sa kohë Evropa do ta injorojë çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në tërësi, ose më saktë, për sa kohë shqiptarët nuk do të kenë fuqinë t’i diktojnë Evropës që ta kthejë fytyrën nga ata;
  27. Të shfrytëzohet fanatizmi etnik e fetar i popullit serb për të nxitur agresivitetin e tyre kundër shqiptarëve;
  28. Shkatërrimet, barbaritë, plaçkitjet, djegiet, rrënimet e çdo gjëje që është shqiptare, bombardimet, terrori intensiv, masakrat masive, përdhunimet, zhdukjet e personave, burgosjet masive, përdorimet e të gjitha llojeve të armëve të rënda nga ushtria dhe policia, të mbeten norma të veprimtarisë së përhershme serbe në Kosovë e viset e tjera të populluara me shqiptarë;
  29. Vullneti politik i popullit të Kosovës të likuidohet me të gjitha mënyrat e mjetet deri në zhdukjen fizike të tij;
  30. Vendet evropiane kanë investuar në Serbi kapital ekonomik dhe politik: Italia mbi 800 milionë dollarë; Franca mbi 1 miliardë dollarë; Gjermania mbi 700 milionë dollarë, ndërsa Rusia ka tregun e armëve të Serbisë. Të shfrytëzohet ky fakt për të bërë që këto shtete të jenë në anën tonë, pasi ndryshimet u sjellin atyre humbje të kapitalit ekonomik dhe rënie të prestigjit politik.

Ja, pra, mbi cilat parime mbështetej veprimtaria serbo-sllave në Kosovë dhe në trojet shqiptare. A mund të kishte bashkëjetesë në këto kushte? A mund të ekzistojë bashkëjetesa? Si e sa mund t’i justifikojë Prokuroria Speciale këto parime naziste? Apo, meqenëse edhe vetë po ushtron një veprimtari naziste, nuk i bën përshtypje të përballet me parimet naziste të ngritura në ligj për asgjësimin e kombit shqiptar në trojet e pushtuara shqiptare nën Jugosllavi, për interesat e Serbisë. A është kjo prokurori speciale në shërbim të Serbisë?

Kjo lojë vazhdon të bëhet edhe sot e kësaj dite me serbët. Ata ushqehen me shpirtin e shfarosjes shqiptare në Kosovë. Ata ushqehen me shpirtin e çlirimit të shenjtërive serbe në Kosovë. Ata ushqehen me shpirtin e ndjekjes së heronjve serbë në Kosovë, që nuk janë tjetër veçse banditë, vrasës dhe kriminelë. Por, tashmë dihet se historia serbe në Kosovë është historia e pushtimit, e shfarosjes së shqiptarëve autokton, e kolonizimit të pa asnjë rezultat sllav, si dhe historia e Luftës së Kosovës dhe shqiptarëve për çlirim nga kolonizimi.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte as kohë as mundësi për të bërë krime

Po Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër serbëve e bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë, e në atë periudhë ajo ushtri nuk kishte as kohë as mundësi të bënte krime. Kjo sepse luftonte në një terren të pushtuar nga armiku, i cili dispononte armët më moderne të kohës dhe njihte çdo cep të hapësirave të Kosovës se e mbante të pushtuar prej një shekulli dhe kishte forca e mjete të bollshme për t’i përdorur kundër një populli për të cilin nuk ndjente fare dhimbje dhe ishte i gatshëm ta shfaroste. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke u krijuar në gjirin e popullit shqiptar, nuk kishte as kohë as mundësi të merrej me krime, e të programonte e zbatonte plane kriminale, se kishte shumë punë të tjera më të vlefshme; siç ishin: organizimi, trajnimi, furnizimi, gjetja e mjeteve të nevojshme financiare për të përballuar kërkesat e luftës etj. Nuk kishte as kohë as mjete për të harxhuar me zbatim planesh kriminale, prandaj edhe si dëshmitar i kohës, jam i bindur se as në mendje nuk u shkonte as luftëtarëve e as komandantëve të merreshin me çështje,për të cilat i ka marrë nën hetim kjo prokurori e gjykatë speciale.

Prokuroria dhe Gjykata Speciale nuk janë në misionin për të cilin janë krijuar

Pra, a mos kjo prokurori dhe gjykatë nuk po bëjnë atë detyrë që kanë me ligj, por po ndërmarrin veprime politike, në vend që të marrin veprime juridike? A do të vijë një ditë që kjo prokurori e gjykatë të japin llogari për këtë shkelje të ligjit në sy të të gjithë botës? Nëse mendojnë se nuk vjen e kanë gabim. Historia ecën vetëm përpara, nuk ka për të prapakthim.

Kjo Gjykatë kur është krijuar, ishte qëllimi të mundësohet krijimi i bazës ligjore dhe institucionale të besueshme në Kosovë, që të hetonte krimet e pretenduara se janë kryer gjatë viteve 1998-2000 në Kosovë dhe të ndërmerrte hapa të procedimit të këtyre veprave. Por jo të godiste drejtuesit kryesor politik të shtetit, me synimin për të kriminalizuar luftën në tërësi dhe për t’i dhënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës emërtimin që i ka vënë Serbia që në vitin 1997 – “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.

Sapo të ballafaqohesh me këtë emërtim, kupton hapur synimet e prokurorisë speciale dhe të gjykatës speciale, që realisht kanë rrëshqitur në nazizëm të pastër. As që ka ndonjë ndryshim midis prokurorive hitleriane e gjykatave hitleriane dhe kësaj prokurorie e gjykate që nuk e di për çfarë arsye thirren speciale.

Është pritur që kjo gjykatë të mos merrte në dorë politikën botërore kundër-Kosovë, që ka për synim të viktimizojë Serbinë në luftën midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në njërën anë dhe ushtrisë jugosllave, policisë jugosllave, forcave paramilitare serbe, forcave kriminale serbe dhe popullsisë civile serbe të armatosur në anën tjetër. Por të kryej detyrat ligjore kundër-kriminale, mision për të cilin e ka krijuar Parlamenti i Kosovës.

Kjo gjykatë dhe kjo prokurori e keqpërdori bashkëpunimin e liderëve të Kosovës, e keqpërdori votën e ligjbërësve të Kosovës, e keqpërdori autoritetin që i dha Kosova, vetëm që të kryej një mision mafioz që i ka dhënë dikush tjetër për të kriminalizuar Kosovën dhe Luftën e saj Çlirimtare, nëpërmjet tentativës për të vënë në bankën e kriminelit çdo luftëtar të UÇK-së.

Dhe kjo shumë thjeshtë – “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.

“Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”

Po si funksionojnë Ndërmarrjet e Përbashkëta Kriminale? A ka një përkufizim për këtë?

Sepse që të jesh ndërmarrje – do të thotë: njësi themelore e organizimit të prodhimit, (luftës, krimit etj.), ose disa njësi të tilla të bashkuara me drejtim të përbashkët. Por nuk mund të ketë ndërmarrje që të veprojë e të arrijë synimet e saj sipas objektivave që ka vënë para vetes, në qoftë se nuk janë bërë më parë planet që do të arrihen, vizioni i ndërmarrjes, fushëveprimi, hapësira strategjike e veprimtarisë së kësaj ndërmarrjeje. Prandaj një ndërmarrje, që të quhet e tillë duhet të ketë ndërtuar një plan strategjik mbi të cilin do të mbështesë veprimtarinë e saj dhe do të shtrijë fushëveprimet. A ka një ndërmarrje të tillë në dokumentacionin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? Ta dinë të gjithë ata që duan ta dinë se, nuk ka asnjë fjalë të shkruar në planet strategjike politike e ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë të jeni të sigurt. Askush mos të dyshojë se ka një plan të tillë në gjithë dokumentacionin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Termi i dytë i emërtimit është – e përbashkët – çfarë kuptojmë me këtë? – që u përket dy a më shumë vetave, që i përket një grupi njerëzish, që përdoret a shfrytëzohet nga të gjithë, që i përket gjithë popullit, gjithë shoqërisë; që bëhet së bashku me një tjetër a me të tjerë; kolektiv; që është i njëjtë ose po ai për dy a më shumë veta a për të gjithë. Pra, lufta për çlirimin e Kosovës ishte një ndërmarrje e përbashkët e popullit të Kosovës, përfaqësuar nga Ushtria Çlirimtare, për t’u çliruar nga pushtimi e për të shpëtuar trojet e tij nga kolonizimi serb. Dhe kjo është e saktë sepse për këtë ka plan strategjik politiko – ushtarak të hartuar e pranuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Po le të kthehemi te termi i fundit, – kriminale – do të thotë – që përbën krim a që synon të kryej një krim; që është i dëmshëm për shtetin, për shoqërinë a për ndonjë pjesëtar të saj; që është vepër a veprimtari kriminale, që ka a realizon plane kriminale.

Duket pra se Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale – qenka një ose disa njësi të bashkuara me drejtim, synime dhe plan të përbashkët, të cilat janë kriminale dhe realizohen nëpërmjet një kompleksi krimesh, të cilat kanë si qëllim final të dëmtojnë shtetin e shoqërinë.

Kush ka të drejtë të etiketojë kështu Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës? Kush ka të drejtë ligjore ta konsideroj dhe emërtojë atë organizatë kriminale? Kush ka të drejtë ta quaj Luftën Çlirimtare të Kosovës vepër kriminale?

A duhet lejuar kjo prokurori naziste dhe kjo gjykatë zvarritëse ta bëjë këtë?

Mendoj që jo. Mendoj që duhet të ngrihemi në këmbë të gjithë t’i tregojmë botës se ne e dimë cila është drejtësia. Mendoj se nuk duhet që kjo prokurori e gjykatë speciale të na trajtojnë si budallenj ligjor. Duhet të tregojmë që edhe ne dimë ta njohim ligjin dhe kemi kapacitete të kërkojmë zbatimin e tij.

Nuk dua të kërkoj favorizim e lehtësim prej këtyre institucioneve speciale, por vetëm drejtësi, që për fat të keq nuk po duan ta japin.

Nuk na duhet drejtësia e veshur me petkun politik

Unë dua t’i besoj drejtësisë, por jo atë drejtësi që ia ngjit fajin kujt donë. Dua drejtësinë që zbulon dhe dënon autorët e krimit. Nuk e dua drejtësinë të veshur me kostum politik, por dua atë drejtësi të veshur me kostumin e ligjit. Dua drejtësinë që bën hetim dhe gjykim të ndershëm, të paanshëm dhe që të përmbushë standardet e së drejtës ndërkombëtare.

Të kesh përgjegjësi komanduese e drejtuese nuk do të thotë se je përgjegjës për çdo krim që mund të ndodhë brenda hapësirës së përgjegjësive funksionale. Sepse po të ishte kështu, duhen futur në burg të gjithë presidentët dhe kryeministrat e qeverive të botës, të gjithë ministrat e brendshëm të qeverive të botës, të gjithë drejtorët e funksionarët e policive të shteteve të botës, të gjithë kryetarëve e bashkive të botës etj. Sepse në zonën e përgjegjësisë së tyre ndodhin krime çdo ditë nga të gjitha llojet. Por ata nuk mund të ngarkohen me përgjegjësi ligjore kriminale, sepse nuk janë ata planifikuesit dhe menaxherët e kriminalitetit që ndodhë. Kështu që edhe funksionarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së janë të këtyre niveleve. A duhet të jenë ata përgjegjës si kriminelë në qoftë se ka ndodhur një krim nga një luftëtar i ushtrisë që ata kanë udhëhequr në luftë? Mendoj që ky është veprim antiligjor, kjo çfarë po ndodhë me këta burra të Kosovës që udhëhoqën luftën për çlirim dhe për këtë tani gjenden të marrë peng nga një prokurori speciale e Kosovës, që vetëm për interesat e Kosovës e të ligjit dhe drejtësisë nuk punon.

Sot është në burg në Hagë Jakup Krasniqi – zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – i akuzuar për krime lufte. Sot është president i Serbisë Aleksandër Vuçiç – zëdhënës i qeverisë së Jugosllavisë së mbetur nën Milosheviqin, që me ushtrinë, policinë, forcat paramilitare dhe ato kriminale e qytetarët serb të armatosur – gjithsej rreth 150 mijë trupa me programe e plane për vrasjen e masakrimin e shqiptarëve dhe me plane luftimi për të shkatërruar gjithçka në hapësirat e Kosovës, – është pra udhëheqësi i Serbisë dhe nderohet e përkëdhelet nga udhëheqësit e shteteve të Europës.

Pyetja ime është: Cili nga këta të dy burra është realisht krimineli që duhet të jetë në burg? Jakup Krasniqi që ka luftuar të çlirojë atdheun, apo Aleksandër Vuqiqi që ka udhëhequr gjenocidin mbi një komb të tërë për ta vrarë, siç e ka vrarë, për ta masakruar siç e ka masakruar, për ta zhdukur siç e ka zhdukur dhe për ta shpërngulur siç e ka shpërngulur?

A ka vërtetë njerëz të ligjit që nuk e kuptojnë kaq monstruozitet, kaq padrejtësi, kaq banalitet të mbështetur në ligj, kaq politikë që përdhunon ligjin, kaq mospërfillje ndaj qytetarisë, kaq shpërfillje të lirisë, kaq diferencim kombëtar. Kaq zvetënim personaliteti, kaq ligësi, kaq veprim kundërnjerëzor e kundërqytetar? Mendoj se nuk duhet të ketë të tillë. Por realisht gjykata speciale e krijuar nga Kosova kundër Kosovës në Hagë është duke vepruar si një institucion që këto elementë jam i sigurt se i njeh, por përballë interesave të veta dhe urdhrave politik nuk i shikon dhe nuk i vlerëson.

Jam i bindur, se nëse prokurorët e gjykatës speciale për krimet e luftës së UÇK-së në Hagë, do t’i nënshtrohen profesionalizmit dhe drejtësisë, ata burra i lirojnë brenda ditës duke u kërkuar edhe falje që i kanë trajtuar në mënyrë të tillë. Por çfarë t’i bësh faktit që ata kanë marrë detyra të tilla dhe për këtë kanë edhe shpërblime e pagesa të jashtëzakonshme. Është vështirë të mos zbatosh detyrën dhe është shumë vështirë t’i kthesh shpinën një pasurie të tërë që të vjen pa asnjë lodhje.

Jam i sigurt, se po të pyeten prokurorët, a janë të bindur se janë fajtorë ata burra të luftës që i kanë mbyllur në atë burg, po të jenë profesionistë të ndershëm, përgjigja e tyre do të jetë: Jo. Dhe po të pyeten a dëshirojnë të marrin pafajësinë ata burra, përgjigja e tyre do të jetë: Jo. Le të jenë të ndershëm për një çast ata prokurorë dhe le të thonë nëse unë kam të drejtë që kam dalë në këtë përfundim ose jo.

Por duke qenë se kjo gjykatë punon me prova të ofruara nga Beogradi, që janë plotësisht shpifje të ulëta, të cilat kjo gjykatë i ka marrë për plotësisht të vërteta, sepse pikërisht viktimizimi i Serbisë është edhe funksioni real i kësaj gjykate, megjithëse jo funksioni ligjor. Prandaj edhe jam i bindur, se po të ketë një institucion që ta kontrollojë këtë gjykatë nëse punon ose jo me prova serbe të ndërtuara nga forcat serbe të sigurisë, do të gjente se përveç provave të montuara nga Serbia, asgjë tjetër nuk ka në dosjet e atyre prokurorëve dhe gjykatësve. Kjo sinqerisht është e pa ndershme, pa folur se është kundërnjerëzore dhe kundërqytetare e kundërligjore.

Nuk është krim krijimi dhe udhëheqja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Kam lexuar se në kuptimin penal – juridik – “Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale nënkupton forma të bashkëkryerjes sistematike dhe gjerësisht të përhapura të veprave penale (krimit), me këto elementë: 1. që në kryerjen e krimit të kenë marrë pjesë më shumë ekzekutues; 2. që ata individë në grup kanë synim dhe qëllim të përbashkët; 3. që synimi ose qëllimi i përbashkët paraqet vepër penale (krim) të paraparë sipas ligjit, 4. që kryesit e veçantë (individualisht) të veprave penale kanë qëllim të përbashkët; 5. që i akuzuari konkret ndaj të cilit zhvillohet gjykimi, ka marrë pjesë në atë ndërmarrje të përbashkët dhe ka “kontribuar” dukshëm në kryerjen e krimit; 6. që personat të cilët kanë marrë pjesë në ndërmarrjen e përbashkët kriminale duhet të identifikohen me ndonjë strukturë, emër, kategori apo grup të cilit i përkasin (ushtarak, policor, paraushtarak, administrativ) apo çfarëdo grupi tjetër të identifikueshëm”.

Po të merren në analizë këto elemente, të cilët i kam lexuar diku të shprehura nga një jurist, del qartë, se ata burra të luftës që mbahen peng në Hagë, duhet të kthehen në shtëpi me pafajësinë dhe duke u kërkuar falje.

  1. Sepse ata nuk kanë krijuar një ndërmarrje të përbashkët kriminale, pasi nuk mund të gjendet asnjë dokument që t’i fajësojë sepse nuk ekziston;
  2. sepse ata nuk kanë marrë pjesë personalisht në asnjë akt kriminal;
  3. sepse nuk ekziston asnjë dokument që të përcaktojë synimin ose qëllimin e përbashkët për të kryer veprime a veprimtari që paraqesin vepër penale (krim) të paraparë sipas ligjit, vetëm nëse do të konsiderohet krim që kanë krijuar dhe udhëhequr Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për ta çliruar vendin nga pushtimi serb;
  4. sepse dokumenti që të vërtetojë se këta burra të kenë ndërmarrë veprime kriminale për të plotësuar detyrime për mision të përbashkët kriminal;
  5. sepse nuk ka asnjë veprim që i ngarkon këta burra me përgjegjësi kriminale, si pjesëmarrës ose kontribuues në kryerje krimesh;
  6. sepse ata janë të identifikuar me një strukturë, por që ajo nuk ishte një Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, por një ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe quhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe që u bë bashkëluftëtare e NATO-s, ShBA-ve dhe gjithë shteteve të zhvilluara të botës moderne, të cilët erdhën për të luftuar përkrah saj në Luftën Çlirimtare të Kosovës.

Dhe në fund, sepse unë jam i bindur se, askush nuk mund të dënohet në qoftë se “nuk ka planifikuar, nxitur, urdhëruar, kryer ose në ndonjë mënyrë tjetër ka ndihmuar dhe ka dhënë mbështetje për planifikimin, përgatitjen ose ekzekutimin e këtij krimi, …”. Prandaj unë kërkoj: ku janë planet? Si është bërë organizimi? Si janë vënë detyrat? Cila ka qenë struktura e organizuar dhe e planëzuar për të kryer krime? Të tilla as nuk ka pasur në UÇK e as nuk ka ku të gjenden, veçse në qoftë se merrni si model planet e programet dhe strukturat përkatëse kriminale të Serbisë, që kanë vepruar në Kosovë dhe kanë bërë krime të mëdha që kanë tentuar të zhdukin një popull. Dhe plane të tilla ka pasur ushtria jugosllave e cila solli në Kosovë 72 mijë trupa, me të gjitha llojet e armëve e të mjeteve ushtarake për veprime tokësore dhe ajrore; ka pasur policia jugosllave e serbe të cilat sollën në Kosovë 12 forca policore; kanë pasur forcat paramilitare serbe të cilat sollën në Kosovë 8 mijë trupa paramilitare; ka pasur qeveria serbe e cila solli në Kosovë 5 mijë forca kriminale, që i liroj nga burgjet vetëm për të bërë krime në Kosovës, duke u falur dënimin e mbetur; ka pasur qeveria serbe e cila armatosi në Kosovë 63 mijë qytetarë serb të Kosovës, me detyrë për të vrarë çdo qytetar shqiptar të Kosovës që do t’u zinte syri. Këta po. Kanë pasur plane. Por këta nuk quhen kriminelë. Kriminelë quhen luftëtarët pse kanë çliruar atdheun e tyre dhe i kanë sjellë lirinë popullit të tyre. Por që kanë prishur interesat e Serbisë të cilën ata që kanë fuqi në Europë e duan më shumë se Kosovën. Prandaj Kosova mund të sakrifikohet, mund të përdhunohet edhe nga Europa, mjaft që Serbia të mbetet e kënaqur. E turpshme!

Si do ta tregojmë historinë e luftës çlirimtare të Kosovës?

Çfarë do t’u themi të rinjve në Kosovë? Çfarë do t’u themi fëmijëve në të sotmen dhe të ardhmen? Si do të duhet ta tregojmë historinë e luftës çlirimtare të Kosovës? Si do ta portretizojmë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës? Si do t’i quajmë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? Si do t’i quajmë dëshmorët e luftës çlirimtare të Kosovës?

Tashmë për qejfin e Serbisë dhe të gjithë atyre që bëjnë politikën e saj vlen të thuhet se: historia e luftës çlirimtare të Kosovës, ishte një histori krimesh dhe një histori kur u prish lumturia që kishte krijuar Serbia si pushtuese e kolonizatorë në Kosovë; që Ushtria Çlirimtare të Kosovës, ishte një bandë kriminelësh, që krijuan një ndërmarrje të përbashkët kriminale, të cilës i vunë emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe në përbërje të të cilës krijuan programe kriminale, duke u marrë me trafik droge; me trafik armësh; si dhe me therje njerëzish për t’u marrë trutë, zemrat, veshkat, mëlçitë, mushkrit etj., për t’i trafikuar për transplantime, veçse këto therje njerëzish i bënin në male nëpër stane dhe transportin e organeve të tyre për trafikim e bënin me kuaj e me gomarë; luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të themi se ishin të gjithë kriminelë të rrezikshëm dhe se ata që sot janë gjallë në Kosovë e nëpër botë duhet të mbahen nën vëzhgim, sepse janë të rrezikshëm, prandaj edhe shoqëria me ta duhet të jetë e kufizuar; dëshmorët e luftës çlirimtare të Kosovës, do të tregojmë se ishin disa kriminelë që gjatë kryerjes së krimeve disa ranë nëpër humnera, kurse të tjerët u vranë me njëri tjetrin duke ndarë pasuritë që përfitoheshin gjatë kryerjes së krimeve.

Besoj se me këtë histori të re për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, do të jenë shumë të kënaqur: Serbia, përkrahësit e Serbisë, të dashurit e Serbisë, si dhe të gjithë shqiptarët e dashuruar me Serbinë ose të skllavëruar prej Serbisë.

Kështu do të ndodhë nëse nuk jemi serioz, nëse nuk bëjmë atë që kërkohet nga ne, për të mos lejuar të na helmohet historia jonë, e cila është realisht histori e dëlirë. Kështu do të ndodhë, sepse gjykimet në Hagë po tentojnë të na e dënojnë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  po tentojnë të na e kriminalizojnë rrugën e luftës drejtë lirisë dhe lirinë e fituar, po tentojnë ta bëjnë fajtore Kosovën përballë Serbisë, po tentojnë të krijojnë një fakt të paqenë për të krijuar historinë se në Kosovë kanë vepruar dy ndërmarrje të përbashkëta kriminale përballë njëra tjetrës.

A vërtetë ka njëri me mend në kokë, që mendon dhe beson se mund të krijohet një gjendje dhe një histori e tillë? Jo, kurrë!

Nuk ndodhë, jo se nuk dua unë a nuk duan shqiptarët, por nuk ndodhë sepse nuk mund të ndodhë, pasi ka mashtrime, ka shpifje, por ka edhe të vërtetë dhe e vërteta është me ne, është me shqiptarët, është me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, është me luftën e drejtë të saj, është në bindjen e luftëtarëve dhe është me gjakun e dëshmorëve të atdheut.

Sepse është e vërteta, se është njohur që është zhvilluar një fushatë dhune kundër shqiptarëve në Kosovë dhe se kjo fushatë është zhvilluar nga forcat e ushtrisë, policisë, paramilitare e kriminale dhe e serbëve qytetar të Kosovës të armatosur, me planëzimin dhe nën drejtimin e pandërprerë të gjithë hierarkisë shtetërore të Jugosllavisë së mbetur dhe Serbisë, të cilat ishin përgjegjëse për vrasjet masive të qytetarëve shqiptarë të Kosovës, përdhunimin masiv të grave dhe vajzave shqiptare, si dhe dëbimin masiv deri në 75 për qind të civilëve shqiptarë të Kosovës nga shtëpitë e tyre dhe nga territori i Kosovës për në shtetet fqinje, duke u marrë e grisur çdo dokument identiteti dhe çdo dokument pronësie në Kosovë, që ata të mos kishin asnjë mundësi për t’u kthyer më në shtëpitë e tyre. E gjithë kjo me synimin për të ndryshuar përbërjen demografike të Kosovës, nga me mbi 90 për qind shqiptare, për ta kthyer në një popullsi me shumicë serbe. Pra për ta kolonizuar përfundimisht, duke realizuar atë që është tentuar të bëhet me rreth 30 programe të zhdukjes së shqiptarëve prej dy shekujsh.

Të jemi krenar për Ndërmarrjen e Përbashkët Çlirimtare – Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës – që kemi krijuar si komb

Unë e di se rruga e luftës për liri është sa e vështirë aq edhe e gjatë. Ashtu sikurse di që sot ne e kemi frontin e luftës në Hagë. Prandaj edhe të gjithë duhet të jemi krenar për atë Ndërmarrje të Përbashkët Çlirimtare – Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës – që kemi krijuar si komb, pavarësisht se një pjesë të atyre që e krijuan dhe e udhëhoqën në luftë, sot po përballen me akuza të montuara kriminale. Por Kosova e ka për detyrë të mos dobësohet, të mos ulë kokën. Është detyrë e saj të bëhet monolite përballë furtunës, të mos lejojë t’i nëpërkëmbet dinjiteti, sepse burrat që ka në Hagë do të kthehen me pafajësinë, por ata kanë nevojë edhe për ne, ata nuk mund ta bëjnë luftën vetëm, atyre e kemi për detyrë t’u rrimë pranë, t’i mbështesim, që ta dinë se nuk janë vetëm.

Si dje në luftë, ashtu edhe sot në paqe, duhet të jemi të kthjelltë, të jemi bashkë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës e kishte bazën në qytetarët shqiptar të Kosovës, aty e kishte forcën, aty e kishte mbështetjen, aty e kishte moralin, aty e kishte gjakun, aty e kishte shpresën, prandaj edhe ishte ushtri e fortë, e disiplinuar dhe që luftonte me vetëmohim. Ashtu sot, populli i Kosovës duhet ta marrë në mbrojtje ushtrinë e tij, luftën e tij, historinë e tij, lavdinë e tij.

Përfundim

Kam shkruar më sipër nëse vërtetë mendon e beson kjo prokurori dhe gjykatë se mund të vazhdojnë të bëjnë si të duan dhe jo atë detyrë që kanë me ligj? A mundet vërtetë në kohët moderne një gjykatë e prokurori speciale në sy të gjithë botës, në vend që të bëjnë punë drejtësi ndërmarrin veprime politike? A mendojnë ata se vërtetë nuk ka kush u kërkon llogari? A ndihen ata vërtetë zotër mbi fatet dhe historinë e Kosovës? Unë jam i bindur se nuk ka asnjë zot tjetër përveç Zotit që na ka krijuar. A do të vijë një ditë që kjo prokurori e gjykatë të japin llogari për këtë shkelje të ligjit në sy të të gjithë botës? Unë mendoj se po. Nëse ata mendojnë se nuk vjen ajo ditë, e kanë gabim. Thashë që historia ecën vetëm përpara, nuk ka për të prapakthim. Prandaj sado të përpiqen këta prokurorë e gjykatës, nuk mund t’ia lëshojnë hijen e turpshme të krimit as Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, as Kosovës, as luftëtarëve të lirisë së Kosovës. Gjithçka do të mbetet mbi ta.

Por për t’i ndihmuar, dua t’i pyes, a e dinë prokurorët dhe gjykatësit e gjykatës speciale për krimet e supozuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se në vitin 2020, në Beograd është publikuar libri “Gjenocidi shqiptar kundër serbëve në shekullin 20”? Nëse nuk e dinë, ua rekomandoj ta lexojnë. Aty do të gjejnë edhe shumë gjëra të tjera, që do ta pasurojnë njohjen e tyre për atë që kanë dëshirë të informohen.

Megjithëse ndoshta unë jam i vonuar, se ata prokurorë dhe ajo gjykatë furnizimin e informacion e merr nga Beogradi. Dhe atje ka ushqim të bollshëm për ta, sepse serbët po e kanë përkushtimin dhe fuqinë të botojnë libra në vijimësi kundër shqiptarëve edhe kur nuk kanë asnjë fakt, por duke i improvizuar dëshmitë. Ky libër i serbëve që po ju rekomandoj është akuzues për shqiptarët ashtu siç doni Ju dhe është i përkthyer në shumë gjuhë të botës. Prandaj edhe kjo fushë është e lirë për t’u shfrytëzuar sepse edhe këtë libër, si edhe të tjerët i financon me dorë të lirë pa u kursyer shteti i Serbisë.

Por dua të tërheq vëmendjen:

Këto ditë u ballafaquam me deklarimin se Serbia kishte ndërmarrë hapa me shërbimin e fshehtë të saj për të vrarë zotëri Dick Marty-n, me qëllim që t’ua lerë fajin shqiptarëve.

Unë nuk dyshoj aspak në faktin që Serbia bën plane dhe veprime të tilla, sepse është provuar shumë herë.

Por ajo që nuk kuptoj unë është se përse Serbia bën plane për t’i larë duart me Dick Marty-n? Çfarë ka ndodhur mes tyre? Sepse nëse ka një njeri që ka bërë krim personalisht për hatër të Serbisë, ky është Dick Marty. Ky njëri që për hatër të Serbisë dhe për interesat e tij personale bëri një krim shumë të madh, si do të vritej nga serbët?

Këtu duken dy pamje:

Së pari; ka shumë mundësi, që Serbia duke e ditur se Dick Marty e ka kryer detyrën dhe e ka marrë shpërblimin për krimin që ka kryer, duke pasur frikë se mund të thirret si dëshmitarë në gjykatën e Hagës përballë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mund të bënte ndonjë deklarim të padëshirueshëm, menduan që ta heqin qafe njëherë e mirë dhe njëkohësisht të akuzonin shqiptarët si kryes të kësaj vepre dhe të ndizet edhe njëherë flaka e mashtrimit kundër Kosovës. Pra duke vrarë dy zogj me një gur, si i thonë.

Së dyti; mund edhe që Dick Marty, duke e pasur të qartë krimin që ka bërë dhe duke e parë dështimin e krijesës së tij, të krijojë situata të tilla vetë, që të krijohet mundësia e fshehjes së identitetit, që t’i kalojë vitet që i kanë mbetur në qetësi, pasi tashmë pasuri ka vënë mjaft.

Cilado pamje që të jetë, për mua është pamje e shëmtuar. Është pamje që tregon se e drejta e Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe pastërtia e saj filloj tashmë të shfaqet. Serbia planifikon të likuidojë argatin e saj që e ka paguar me të shtrenjtë, ky është hapi i parë drejtë të vërtetës.

Por as Serbia as Dick Marty nuk besoj se kanë për të dalë pa u lagur nga kjo situatë.

Ajo që ka rëndësi është e ardhmja e sigurt e pastrimit të të gjithë llumrave që hodhën, që po hedhin dhe përpiqen të hedhin mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, mbi luftën e saj dhe mbi luftëtarët e saj.

Share.