Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski u dënua me 7 vite burg nga Gjykata Penale e Shkupit, për rastin “Parcelat në Vodno” të inicuar nga ish-Prokuroria Speciale.

Ai u dënua për pastrim parash pasi kishte shfrytëzuar paratë e donacioneve për partinë e tij për të blerë prona të patundshme për vete, por duke i regjistruar në emra të personave të tjerë.

Gazetarja e “Euronews Albania” në Shkup , Ferikan Iljazi thotë se ky është dënimi i tretë për Gruevskin, por nuk dihet nëse ish-kryeministri do t’i vuajë dënimet për shkak se ndodhet në Hungari që prej vitit 2018.

“Është dënimi i tretë për Gruevskin. Ish-kryeministri është në arrati në Hungari dhe nuk dihet nëse do t’i vuajë dënimet në Maqedoninë e Veriut. Ai po i komenton dënimet e dhëna ndaj tij në rrjetet sociale. Sipas Gruevskit janë shantazhuar bashkëpunëtorët e tij”, u shpreh gazetarja.

Iljazi informoi se bashkëpunëtorët e Gruevskit kanë pranuar faktin se kanë pastruar para në mënyrë që ish-kryeministri të blejë prona të patundshme në Maqedoninë e Veriut.

/TV Malisheva

Share.