Një meç i “zjarrtë” në botën e boksit na pret ditën e shtunë.
Kampioni i WBC-së, Tyson Fury, 33 vjeç, do të mbrojë për herë të dytë titullin që e fitoi në vitin 2020. Përballë tij Dillian Whyte, 34-vjeç, edhe ai britanik, madje mik i hershëm i “The Gipsy King”, përcjellë TV Malisheva.
Dy boksierët britanikë shquhen për aftësitë e tyre të mëdha dhe goditjet poashtu shumë të forta, një fakt që na jep të drejtën të presim një përballje fantastike.
“Është një luftë e madhe dhe jam i emocionuar që jam këtu. Më vjen keq që nuk mund të isha këtu më herët, por jam këtu tani. Keni dëgjuar njërën palë, sepse ata thonë shumë gjëra. Ngaqë unë nuk flas, ata thonë se jam i frikësuar ose po fshihen”, tha Whyte në deklaratën e tij.
Në anën tjetër, Fury u tregua i respektueshëm ndaj kundërshtarit të tij.
“Ai është një luftëtar i mirë. Një burrë i mirë, i fortë. Ai ka një grusht të fuqishëm, ka hedhur “knockout” shumë burra. Ka nevojë për shumë respekt dhe kjo është ajo që unë i kam dhënë atij nga kampi im stërvitor. Ky është boksi i peshave të rënda. Çdokush mund të fitojë me një grusht. Nëse nuk do të jem në formë, ky djalë do më rrëzojë”, tha Fury.
Ky meç zhvillohet të shtunën rreth orës 23:00.
/TV Malisheva