Ish-kryeministri Sali Berisha, në një deklaratë për mediat ka përsëritur deklaratën e tij se procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Shqipërisë është farsë.

Në diskursin e tij, bëri me dije se emri më i preferuar i socialistëve është Vali Bizhga, drejtoresha e Kabinetit të kryeministrit, Edi Rama.

“Sipas statistikave, dy të tretat e sekreteve i kanë shkuar Vali Bizhgës. Çfarë pret tjetër. Emri i saj nuk figuron në asnjë zarf. Kësaj i thonë zgjedhje. Prisni kur të vijnë emailet e shoqërisë civile”.

Berisha theksoi se nuk do të votojë asnjë kandidat të propozuar nga Edi Rama.

“Rregulli është rregull. Në qoftë se maxhoranca vendos që t’ia japë opozitës, atëherë është opozita që negocion, përzgjedh, paraqet një apo dy emra dhe vendoset. Por Edi Rama po bën të kundërtën. Të implikohesh në një proces me zarfe, është njësoj si në një tender sekret”.

Megjithatë, sipas tij “në votimin në Parlament PD-ja do të jetë, nuk do të bojkotojë”.

“Nuk bëhet fjalë që do të bojkotojmë procesin. Ne do të jemi në parlament. Ka idera që u shprehën dje se mund të paraqesim një kandidat tonin. Nuk më duket racionale për faktin se kur nuk ke votat, nuk e di çfarë figure bën, por do të jemi aty për të votuar kundër kandidatit”.

Share.