As ekonomia maqedonase nuk do të mbetet imune ndaj luftës në Ukrainë. Qeveria tashmë është duke llogaritur se sa do të jetë ndikimi në prodhimin e brendshëm bruto.

Në një intervistë për 360 Gradë në Alsat, Fatmir Bytyqi, përgjegjësi i qeverisë për politikat ekonomike, tha se nga rritja ekonomike e parashikuar fillimisht prej 4.3%, tani parashikimi jozyrtarisht është ulur në 3.5%.

Me ribalancin e paralajmëruar, boshllëku buxhetor do të rritet për rreth dy për qind, shtoi zëvendëskryeministri.

Kjo në shifra absolute është 200 milionë euro, që janë planifikuar të shpenzohen dhe mungojnë në arkën e shtetit.

“Edhe Banka Popullore po punon në korrigjimin e normës së rritjes ekonomike për Maqedoninë. Pritjet e Bankës Qendrore që ekonomia vendase të ketë rritje prej 3.9 për qind nuk do të realizohet, dhe do të ketë ulje të parashikimit të rritjes së PBB-së për vitin e ardhshëm”, tha Fatmir Bytyqi- Zëvendëskryeministër për Ekonomi.

“Projeksionet makroekonomike janë duke u përgatitur nga banka qendrore. Ne me grupin e fundit të projeksioneve makroekonomike, që datojnë nga tetori i vitit të kaluar, prisnim rritje prej 3.9 për qind për këtë vit, por duke pasur parasysh goditjen e re dhe rreziqet që lidhen me të, aktualisht po punojmë në projeksione të reja, dhe probabilitet që do të ketë një revizion negativ”, u shpreh Anita Angelovska-Bezhoska -Guvernatore e Bankës Popullore.

Pas rritjes së vitit të kaluar të ekonomisë botërore prej 6,1 për qind, institucionet financiare ndërkombëtare për shkak të luftës në Ukrainë ndryshuan në mënyrë drastike parashikimin për këtë vit. Në nivel global, sipas Bankës Botërore, rritja prej 4.1 për qind do të jetë më së shumti 3.2 për qind, FMN parashikon 3.6 për qind.

/TV Malisheva

Share.