Serbia i është kundërpërgjigjur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përmes të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Kundërpërgjigjja e Serbisë ka të bëjë me deklaratën e Kurtit, që të dielën e quajti presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq “Putini i vogël”, duke iu referuar miqësisë mes tyre dhe tensioneve që shkakton Beogradi zyrtar në rajon, sidomos në Kosovë.
Drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviq, e ka quajtur Kurtin “Hitleri i vogël nga Ballkani”, shkruan “B92”.
Sipas tij, “Kurti ëndërron të pastrojë Kosovën nga serbët”.
“Në ëndrrat dhe planet e tilla të Hitlerit, ai shqetësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili po lufton si luan për interesat e popullit serb në Kosovë dhe Metohi, i cili nuk do të lejojë askënd që të pastrojë etnikisht popullin tonë nga krahina jugore dhe kryejë spastrime e stuhi të reja”, ka thënë Petkoviq.
Zyrtari serb ka folur se si presidenti i tij Vuçiq është garantues i stabilitetit dhe paqes në rajon dhe se Serbia “po mundohet për të mirë e gjithë Ballkanit”.
“Ndërsa Beogradi i ndihmonte serbët dhe shqiptarët, Prishtina po rinovon shtëpinë përkujtimore të bashkëpunëtorit nazist Xhafer Deva, ndërsa Hitleri i vogël dëshiron të krijojë një Shqipëri të madhe, Beogradi po mbron nismën Ballkani i Hapur dhe ndërsa refuzon të formojë Asociacionin si garantues të paqes dhe stabilitetit, Kurti po e dërgon ROSU-n në mjediset ku jetojnë serbët”, ka shtuar Petkoviq.
Ai të dielën ishte për vizitë në disa fshatra të Skenderajt, ku jetojnë disa serbë. Vizitën e kërkoi për të festuar Pashkët ortodokse me serbët, por e shfrytëzojë edhe për politikë dhe për të akzuar institucionet e Kosovës.
/TV Malisheva