Kur shoqata e rezervistëve finlandezë shpalli thirrjen mbi kurse të mbrojtjes ushtarake për gratë civile në qytetin jugor të Haemeenlinna, 400 vendet e mundësuara u plotësuan menjëherë dhe lista përmbante edhe 500 emra të tjerë në pritje.

Që nga qitja, cybersiguria, tek menaxhimi i një pushtimi të mundshëm nga ana e Rusisë, të gjitha bëjnë pjesë në trajnimin që ofrohet.

Kjo nuk ka të bëjë me frikën gjithsesi, sa ka të bëjë me faktin se duhet të jesh i përgatitur për gjithçka në një kohë si kjo.

Kështu e mendon rreshterja Sonja Airikki, një rezerviste 39-vjeçare, e cila do ta drejtojë trajnimin përgjatë gjithë muajit të ardhshëm.

Gatishmëria ushtarake është e gdhendur në kulturën dhe historinë e këtij vendi me 5.5 milionë banorë, i cili ndan një vijë kufitare prej mbi 1 mijë e 300 kilometrash me Rusinë.

Situata është e tendosur që prej agresionit të Moskës në Ukrainë.

Për herë të parë, Helsinki po e mendon realisht aplikimin për anëtarësim në aleancën e NATO-s, duke parë edhe kërcënimet që kanë ardhur nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Detyra kryesore e rezervistëve, është që të qëndrojnë në gatishmëri nëse lufta fillon. Kurset civile, si ai i rreshteres Airikki, kanë qenë gjithnjë popullore me njerëzit. Por asnjëherë nuk kanë qenë kaq të mbushura këto kurse, në shkallë kombëtare.

“Ndryshimi ka qenë i hatashëm”, thotë nga ana tjetër Ilpo Pohjola, një zyrtar i lartë i rezervistëve, që prej formimit të tyre tre dekada më parë. “Është diçka të shumë e veçantë. Nuk e kam parë kurrë më parë këtë gjë”.

Më tej, ai shtjellon se finlandezët e kanë ditur prej një shekulli se nga ana tjetër e kufirit ndodhet e keqja, por vetëm tani njerëzit po zgjohen realisht ndaj këtij fenomeni. Sepse tani, është çasti kur ata po e kuptojnë se duhet të jenë të përgatitur.

Një konflikt i Finlandës me Rusinë daton që prej vitit 1809, kur perandoria ruse e asaj kohe, e shtoi Finlandën në territorin e saj.

Pavarësinë, Finlanda e shpalli në vitin 1917, teksa Rusia ishte e hutuar me revolucionin e brendshëm.

Mirëpo, 22 vjet më pas, sovjetikët pushtuan sërish.

Pavarësisht kësaj dhe faktit se ishin shumë më të pakët në numër se sa Ushtria ruse, finlandezët u mbrojtën duke i terrorizuar ata me snajperë në pyjet e ngrira, me molotovë për të sulmuar tanket dhe i mposhtën ata në dy beteja në ndryshme.

Një traktat i paqes u nënshkrua pastaj në vitin 1944, ku rreth 10% e territorit finlandez i kaloi Moskës.

Periudha përgjatë Luftës së Ftohtë ishte po ashtu e vështirë. Megjithatë, Finlanda arriti të mbante një pozitë të shkëputur nga konflikti.

Tashmë që Ukraina është nën pushtim, frika është rikthyer sërish, duke parë edhe qëllimet e Vladimir Putinit.

Rrjedhimisht, bisedimet për aderimin në NATO janë veçse të natyrshme në këtë kohë për Helsinkin.

Por, në ndërkohë, janë vetë finlandezët, ata të cilët po përgatisin mbrojtjen.

/TV Malisheva

Share.