Kryeministri i Britanisë Boris Johnson tha sot se nuk pret që presidenti rus Vladimir Putin të përdorë armë taktike bërthamore në Ukrainë.
I pyetur nga Talk TV nëse ai priste që homologu i tij rus të konsideronte përdorimin e armëve bërthamore taktike nëse do të pësonte më shumë dështime ushtarake, Johnson tha: “Jo”, transmeton Sky News.
“Duke pasur parasysh mbështetjen masive ruse për atë që po bën, duke pasur parasysh harresën e dukshme të medias ruse për atë që po ndodh realisht në Ukrainë, paradoksi është se Putini ka shumë më tepër hapësirë politike për t’u tërhequr”, tha Johnson.
Johnson vazhdoi duke thënë se ishte “shumë e rëndësishme” që Perëndimi “të mos pranojë mënyrën se si rusët po përpiqen të përcaktojnë atë që po ndodh në Ukrainë”.
“Ata po përpiqen ta përshkruajnë këtë si një konflikt midis Rusisë dhe Perëndimit, ose Rusisë dhe NATO-s. Kjo nuk është ajo që po ndodh,” tha ai.