Neymar po shikohet gjithnjë e më larg PSG-së. Ylli brazilian theu rekordin e transferimeve në vitin 2017, duke kaluar në Paris për 222 milionë euro. Një rekord që qëndron akoma.
Teksa ka arritur të 30-at, Neymar-i po konsiderohet i tepërt në “Parc des Princes”. Objektivi madhor i skuadrës franceze, Champions League, edhe këtë sezon dështoi.
Tashmë ka ardhur koha që parisienët të konsiderojnë disa largime me peshë. Si për të lehtësuar buxhetin, por edhe për t’i lënë vend formatimit të skuadrës.
Neymar është ylli më i mundshëm për t’u larguar. Sidomos nëse Kylian Mbappe vendos të qëndrojë, së paku edhe për dy vite të tjera në Paris.
Gazeta spanjolle “AS”, ka zbuluar dhe shumën që francezët kërkojnë për të lënë të lirë Neymar-in. Ajo shkon në rreth 90 milionë euro. Dhe në rast se një ofertë e tillë mbërrin, braziliani do të largohet.
Ish-lojtari i Santos-it dhe Barcelona-s këtë sezon është aktivizuar në 25 ndeshje, ku ka shënuar 11 gola dhe ka dhuruar shtatë asiste./TV Malisheva