Ushtria ukrainase thotë se ka bombarduar pozicionet ruse në Ishullin e Gjarpërinjve në Detin e Zi, një simbol i rezistencës ukrainase që nga pushtimi i forcave ruse më 24 shkurt.

“Forcat tona kanë sulmuar pozicionet e armikut në ishullin e gjarpërinjve”, tha Komanda Jugore e Ushtrisë së Ukrainës në Facebook, duke pretenduar se ata kishin goditur një “pikë kontrolli” dhe kishin shkatërruar sistemin kundërajror.

“Humbjet e Rusisë janë duke u përcaktuar,” shtohet në deklaratë, sipas mediave nga Ukraina.

Rusia nuk ka konfirmuar një sulm në ishullin që pushtoi menjëherë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.

Ky ishull në Detin e Zi është bërë një simbol në Ukrainë pasi komunikimi me radio u përhap me shpejtësi rrufe në rrjetet sociale në të cilat rojet kufitare ukrainase i thanë një kryqëzori raketor rus në ditën e parë të konfliktit, duke u bërë thirrje atyre që të dorëzoheshin, “shkoni në ferr, anije luftarake ruse!”

Menjëherë pas asaj bisede, anija goditi me raketa ishullin dhe ushtarët ukrainas u kapën. Ata u liruan më vonë në këmbim të të burgosurve, sipas Kievit.

Regjistrimi i asaj bisede ishte lajtmotivi i rezistencës ukrainase, madje fyerjet e rojeve kufitare u shfaqën në pankarta në protestat mbështetëse jashtë vendit dhe në pullat postare të Ukrainës.

Kryqëzori Moska, “perla” e flotës ruse të Detit të Zi, u fundos në mes të prillit pasi u godit nga raketat ukrainase, pretendon Kievi. Nga ana tjetër, Moska tha se ajo ishte dëmtuar nga shpërthimi në anije.

Share.