Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss ka thënë se Ballkani Perëndimor dhe të gjitha vendet e rrezikuara nga Rusia duhet të armatosen.
Truss tha të mërkurën se karahas Ukrainës, Perëndimi duhet të sigurohet se do të kenë qëndrueshmëri Ballkani Perëndimor, Moldoavia dhe Gjeorgjia.
“Ne duhet të sigurojmë që, krahas Ukrainës, Ballkani Perëndimor dhe vende si Moldavia dhe Gjeorgjia të kenë qëndrueshmërinë dhe aftësitë për të ruajtur sovranitetin dhe lirinë e tyre”, ka thënë Truss, raporton BBC.
Disa ditë më parë Britania e Madhe kërkoi veprime të ashpra kundër presidentit rus, Vladimir Putin.
Kësaj radhe Truss u tregua edhe më e qartë, duke thënë se “forcat ruse duhet të dëbohen nga Ukraina dhe se fitorja në Ukrainë është imperativ strategjik për Perëndimin.”
Sipas saj, Suedia ose Finlanda duhet të integrohen sa më shpejt në NATO, nëse zgjedhin të bashkohen.
“Ne nuk mund të jemi të vetëkënaqur – fati i Ukrainës mbetet në ekuilibër. Dhe le të jemi të qartë – nëse Putin ia del, do të ketë mjerim të mëtejshëm të patreguar në të gjithë Evropën dhe pasoja të tmerrshme në të gjithë globin”, ka thënë ajo.
Britania ka dërguar 450 milionë funte në ndihma ushtarake për Ukrainën./TV Malisheva