Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin shqiptar Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Tiranë, ka folur edhe për Kosovën dhe për planin që BE-ja ka për të.

Në pyetjen e gazetarëve se a mund të ketë një Ukrainë të dytë në Ballkan, duke marrë parasysh edhe sulmet ndaj Policisë së Kosovës në kufi me Serbinë, Varhelyi s’u përgjigj për sigurinë e rajonit, por për problemin politik mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se rruga europiane për Kosovën kalon përmes dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Ne po punojmë, po ashtu edhe për një plan të investimeve ekonomike për Kosovën, shpresojmë që puna për dialogun do të rifillojë dhe të ketë ecuri, të shohim ecuri, sepse vetëm nëpërmjet këtij dialogu, që është i promovuar nga BE-ja, do të gjendet një zgjidhje afatgjate. Por, për këtë na duhet që të gjithë të jemi në tryezë me një frymë konstruktive dhe që puna të sjellë rezultate. Pa këto do të jetë shumë e vështirë që të ecet përpara dhe pastaj të flasim për çështje shumë më të gjera si për shembull rrugëtimi i Kosovës drejt BE-së”, tha ai.

Varhelyi tha se dëshirë e BE-së është që Kosova më në fund të mbyllë historinë e saj dhe të investojë te e ardhmja.

“Edhe për Kosovën kemi vendosur një paketë shumë të madhe, pra edhe ekonomike, edhe sociale dhe duam që të ecim sa më shpejt që të jetë e mundur edhe me këtë”, tha Varhelyi.

/TV Malisheva

Share.