Qyteti bregdetar i Sarandës gjatë muajit prill ka tërhequr një numër të lartë turistësh të huaj.

Drejtori i portit të Sarandës, Alket Qendro tha sot për ATSH-në se “760 turistë të huaj kanë hyrë gjatë muajit prill në portin e Sarandës nëpërmjet kroçerave dhe operatorëve turistikë që operojnë në këtë port”.

“Heqja e kufizimeve të pandemisë dhe rikthimi gradual drejt normalitetit po afron gjithnjë e më shumë turistët e huaj drejt vendit tonë dhe qytetit të Sarandës gjatë këtij fillim sezoni turistik”, tha Qendro.

Sipas Qendros, Saranda pritet të ketë këtë vit një sezon shumë të mbarë turistik.

Në portin e Sarandës gjatë muajit prill mbërriti kroçera “Silver Moon”, 213 metra e gjatë dhe 30 metra e gjerë, me 387 turistë në bord dhe flamur të Bahamas, jahti kroçerë “Emerald Azzura” me 76 turistë në bord si dhe anija “Ionan Seaways” me 150 turistë nga Amerika, Franca dhe Anglia.

I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, Saranda është e rrethuar nga kodra dhe përballë saj ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit kuriozon turistët e shumtë me historinë e tij mijëravjeçare./ATSH/

Share.