Mbahet sot Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, që do të vendosë shumë për linjën e re të partisë opozitare pas ikjes së Lulzim Bashës.

Në Kuvendin Kombëtar, i cili do të nisë në orën 10:00 dhe do të mbahet në Pallatin e Kongreseve, do të marrin pjesë 1 mijë e 100 delegatë të zgjedhur nga degët e PD-së në të gjithë Shqipërinë.

Bashkë me ta do të jenë edhe anëtarët aktualë të Këshillit Kombëtar, plus delegatët e rinisë dhe gruas dhe numri shkon në 1800 delegatë.

Burime të A2 CNN thonë se parashikohen 20 folës, prej të cilëve figura të rikthyera në PD, themelues, personalitete nga jashtë dhe të rinj.

Parashikohet që votimi për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të nisë në orën 13:00. Kuvendi do të propozojë ndryshime statutore dhe do të votojë për Këshillin e ri Kombëtar.

Partia Demokratike bëri publike 421 kandidaturat për anëtarë të Këshillit Kombëtar. Mes tyre, 1100 delegatët e Kuvendit do të zgjedhin 150 emrat që do të jenë pjesë e Këshillit.

Lista e kandidatëve përbëhet nga shume emra të kohës kur Berisha kishte drejtimin e partisë, që tashmë rikthehen.

Bie në sy kandidatura e Arben Imamit, i larguar më parë nga Basha, si dhe Rudina Hajdari e Myslym Murrizi që u përjashtuan pasi refuzuan të digjnin mandatet parlamentare.

Në listën e kandidatëve për Këshillin Kombëtar nuk mungojnë as kritikë të Berishes, si Fatbardh Kadilli, si dhe njerëz të cilët ishin pranë Lulzim Bashës si Patrik Sadikaj./TV Malisheva

Share.