Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar repertorin statistikor mbi ndërmarrjet ekonomike në Kosovë, për tremujorin e parë të këtij viti, ku thuhet se gjatë kësaj kohe gjithsej janë regjistruar 2 831 ndërmarrje dhe krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak ka rënie për -3.7% të ndërmarrjeve të regjistruara.

ASK ka bërë krahasime të tremujorit të parë edhe me tremujorin e fundit të vitit 2021, ku thuhet se ka rritje për 17.2% të ndërmarrjeve të regjistruara.

“Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: Tregti me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 718 ndërmarrje të regjistruara (25.4%); Prodhim me 326 ndërmarrje të regjistruara (11.5%); Ndërtimtari me 312 ndërmarrje të regjistruara (11%); Akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 279 ndërmarrje të regjistruara (9.9%); Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike me 267 ndërmarrje të regjistruara (9.4%), etj. Në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2 711 ndërmarrje të regjistruara në këtë tremujor (95.7 %); me 5 deri 9 të punësuar janë 83 sosh (2.9%); me 10 deri në 19 të punësuar janë 22 ndërmarrje të regjistruara (0.7%); me 20 deri 249 të punësuar janë 14 ndërmarrje të regjistruara (0.5%); ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar është vetëm një ndërmarrje e regjistruara. Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor mbizotëron komuna e Prishtinës me 859 ndërmarrje të regjistruara (30.3%); Prizreni me 261 ndërmarrje të regjistruara (9.2%); Ferizaj me 239 ndërmarrje të regjistruara (8.4%); Gjilani me 170 ndërmarrje të regjistruara (6%); Peja me 147 ndërmarrje të regjistruara (5.2%); dhe Fushë Kosova me 135 ndërmarrje të regjistruara (4.8%). Ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor”, thuhet në komunikatën e ASK-së./TV Malisheva

Share.