Inflacioni është rikthyer në Evropë dhe SHBA, pas viteve të rritjes së ulët të çmimeve, duke shqetësuar qeveritë, popullsinë dhe bankat qendrore, gradualisht të pamësuara me këtë fenomen, sinonim i pasigurisë ekonomike dhe standardeve më të ulëta të jetesës.

Pastë dhëmbësh

“Inflacioni është si pasta e dhëmbëve që, pasi del nga tubeti, është pothuajse e pamundur ta rifusësh brenda”, paralajmëroi në vitin 1980 gjermani Karl-Otto Pohl, president i Bundesbank-ut.

Ky postulat ishte harruar disi, sepse që nga krijimi i monedhës së përbashkët dhe deri në pandeminë Covid-19, rritjet e çmimeve ishin të ulëta në zonën euro, madje edhe nën objektivin prej 2% të vendosur nga BQE që nga kriza financiare e vitit 2008.

Por, kriza u rishfaq verën e kaluar me përshpejtimin e inflacionit.

Ndërsa papunësia ka rënë, duke ofruar fuqi më të mirë negociuese për punonjësit, shumë ekonomistë kanë frikë se rritja e pagave nga ana tjetër do të ushtrojë presion mbi çmimet dhe për këtë arsye do të krijojë një rreth vicioz, nga i cili do të jetë e vështirë të shpëtosh.

Hiperinflacioni

Është pasojë e çmimeve të rritura, që vijnë nga humbja e besimit të qytetarëve në vlerën e parasë.

Precedenti më i famshëm është ai i Gjermanisë në fillim të viteve ’20 të shekullit të kaluar.

E rënduar nga borxhi i lidhur me Luftën e Parë Botërore dhe pesha e reparacioneve të vendosura nga aleatët, qeveria nuk arriti më të rimbursonte. Kursimtarët humbën besimin dhe marka u zhvlerësua.

Hiperinflacioni shkaktoi një kolaps të aktivitetit ekonomik, pasi kursimtarët u rrënuan, standardi i jetesës së shumicës së popullsisë ra duke krijuar terrenin pjellor për ngritjen e nazizmit, me rrëzimin e bursës së vitit 1929.

Kohët e fundit, Venezuela ka përjetuar një periudhë hiperinflacioni me një rritje çmimesh prej 130% në vitin 2018, sipas Bankës Qendrore, kur Fondi Monetar Ndërkombëtar e vlerëson atë në 930%.

Përjashtimi japonez

Për gati 30 vjet, ekonomia japoneze është përballur me një situatë atipike, me periudha të gjata të rënies së çmimeve, të quajtura deflacion, të ndërprera thjesht nga fazat e inflacionit të lehtë.

Fenomeni lindi me shpërthimin e flluskës financiare dhe të pasurive të paluajtshme në fillim të viteve ’90. Për të reduktuar borxhin, kompanitë dhe familjet në ekonominë e tretë më të madhe në botë ulën shpenzimet e tyre, gjë që uli çmimet.

Pavarësisht shpenzimeve masive publike dhe uljes së normave të interesit, qeveria dhe Banka Qendrore kanë mbetur të pafuqishme përballë fenomenit.

Deflacioni paraqet rrezikun e një rrethi vicioz, si ai gjatë Depresionit të Madh në SHBA në vitet ’20. Bizneset kanë frikë të humbasin klientët nëse rrisin çmimet, konsumatorët kursejnë në vend që të konsumojnë dhe së bashku ulin kërkesën dhe prodhimin.

“Ilaçi” për peshën e borxhit

Duke dështuar në shlyerjen e borxhit të tij, një shtet mund të përfitojë nga inflacioni i lartë për të ulur peshën e borxhit të tij në raport me PBB-në, një raport që përdoret zakonisht në krahasimet ndërkombëtare.

Praktikisht, inflacioni përkthehet në rritje të PBB-së nëpërmjet rritjes së kostos së produkteve dhe shërbimeve, rritjes së konsumit nëpërmjet rritjes së pagave… gjë që ul në mënyrë aritmetike peshën e borxhit në raport me PBB-në dhe rrit të ardhurat tatimore.

Por, kujdes, pasi ky mekanizëm nuk zbatohet nëse dëmi i shkaktuar nga inflacioni çon në recesion dhe, për rrjedhojë, një rënie të përgjithshme të të ardhurave.

“Për më tepër, inflacioni ka të ngjarë të rrisë koston e financimit të borxhit, pasi kreditorët janë më të dyshimtë për aftësinë e debitorit për t’i shlyer ato”, kujton së fundmi Guvernatori i Bankës së Francës, François Villeroy de Galhau.

Miti i fundit të inflacionit

Para përfundimit të krizës shëndetësore dhe pastaj lufta në Ukrainë, shkaktoi rritjen e inflacionit, ndërkohë që ai pothuajse ishte zhdukur nga ekonomitë kryesore të planetit.

Aq shumë sa disa ekonomistë u pyetën edhe për një zhdukje të mundshme të inflacionit.

Ata përmendën disa arsye.

Së pari progresin teknik, i cili rregullisht ka bërë të mundur uljen e kostove të prodhimit dhe rrjedhimisht të çmimeve të shitjes së produkteve të prodhuara, të cilave duhet t’i shtohet globalizimi dhe konkurrenca, që i shtyjnë kompanitë të ulin çmimet e tyre.

Disa përmendin gjithashtu evolucionin e dobët të pagave në sfondin e zhvillimit të vendeve të punës, të pasigurta, dhe rënien e anëtarësimit në sindikata në disa vende, gjë që ka ulur fuqinë negociuese të punonjësve në kompani. /ATSH-AFP/

Share.