Super agjenti i njohur i futbollit Mino Raiola ka ndërruar sot jetë në moshën 54 vjeç, pas një beteje të gjatë me një sëmundje.

Lajmin e ka konfirmuar vetë familja e Raiolas përmes rrjetit social “Twitter”, e cila po ashtu falënderoi të gjithë që kanë treguar përkrahje deri tani.

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë për ndarjen nga jeta të agjentit më të kujdesshëm dhe më të mrekullueshëm të futbollit ndonjëherë. Mino luftoi deri në fund me të njëjtën fuqi të cilën e kishte treguar në tavolinë për të mbrojtur lojtarët tanë. Si gjithmonë, Mino na bëri neve krenarë dhe nuk e kuptoi kurrë këtë gjë.

Mino preku shumë jetë përgjatë punës së tij dhe shkroi një kapitull të ri të historisë së futbollit modern. Prezenca e tij do të na mungojë gjithmonë. Misioni i Minos ka qenë ta shndërrojë futbollin në një vend më të mirë për lojtarët që ata të vazhdojnë me të njëjtin pasion.

Jemi falënderues drejt të gjithëve për përkrahjen e vazhdueshme që e kemi marrë gjatë këtyre kohërave të vështira dhe kërkojmë që të respektoni privatësinë e familjes dhe miqve në këto momente pikëllimi”, shkruante në komunikatën e familjes.

Raiola njihej si ndër agjentët më të suksesshëm të futbollit modern, ku kishte nën menaxhim yje të njohur si Erling Haaland dhe Paul Pogba./TV Malisheva

Share.