Qeveria miratoi sot nismën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave, organizatë prej 170 shtetesh që kujdeset për mbajtjen e ekspozitave botërore e të posaçme dhe bashkëpunimin e shteteve.
Zëvendësministër i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Getoar Mjeku, duke kërkuar miratimin e kësaj pike në mbledhjen e Qeverisë, deklaroi se Republika e Kosovës përmbushë të gjitha kushtet për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm ndërkombëtarë.
Mjeku tha se përvoja e suksesshme në Dubai ka thelluar bindjen për rëndësinë që kanë promovimi i kulturës e potencialeve të vendit dhe bashkëpunimi me shtetet e tjera rreth ngjarjeve të këtilla.
“Kjo organizatë prej 170 shtetesh mbikëqyrë ekspozitat botërore, ekspozitat e specializuara, lehtëson bashkëpunimin mes nikoqireve dhe pjesëmarrësve në ekspozita. Anëtarësimi bëhet me aderimin e shtetit në konventën për themelimin e Byrosë, që njihet si Konventa e Parisit. E nënshkruar për herë të parë më 1928, Konventa është plotësuar ndër vite me protokolle dhe amendamente, së fundmi më 1988. Konventa lejon shtetin joanëtar të Kombeve të Bashkuara që është pjesë e një agjencie të specializuar të OKB-së të anëtarësohet në Byro. Prej vitit 2009, Republika e Kosovës është anëtare me të drejta të plota e katër agjencive të specializuara – Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe tri institucioneve të Grupit të Bankës Botërore”, theksoi Mjeku./TV Malisheva