Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se nuk do të futet në qeverisjen autoritare të Vuçiq-it, derisa Serbia “nuk e ndërron qasjen ndaj Kosovës, derisa Serbia nuk e ndërron Kushtetutën dhe preambulën e saj”.

“Unë dhe asnjë nga partnerët e mi të koalicionit nuk do të pajtohen që për një vend, dy apo tre, apo një zëvendësministër të futemi në qeverinë autoritare të Vuçiç-it”, është shprehur ai.

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik nga Bujanoci, Shaip Kamberi, shtoi se “nuk mundemi ne të jemi pjesë e një qeverie e cila kur do ta jep betimin në parlament do ta japë betimin se do ta kthejë Kosovën si pjesë të Serbisë”.

“Cili shqiptar do të jetë pjesë e asaj qeverie? Deputeti jep tjetër betim, qeveria jep tjetër betim”, theksoi ai në RTV Dukagjini.

Më 19 prill, politikani shqiptar i Luginës së Preshevës, Shaip Kamberi, ka arritur të fitojë votat e mjaftueshme për t’u rizgjedhur deputet në Parlamentin e Serbisë.

Prej 650 votash sa i mungonin për të kaluar pragun e nevojshëm zgjedhor, Kamberi arriti të mbledhë 679 vota në qendrën e vendvotimit nr. 6 në Bujanoc ku ishin ripërsëritur zgjedhjet për shkak të parregullsive në raundin e parë.

Kamberi, një deputet i cili edhe nga vetë mediat opozitare në Serbi është quajtur “opozitari i vetëm i Aleksandër Vuçiq dhe regjimit autoritar”, do të jetë pjesë e jetës parlamentare edhe për një mandat.

 /TV Malisheva

Share.