Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq nuk do t’i vendos sanksione Rusisë dhe se Serbia është në rrugën e gabuar që nga rënia e Murit të Berlinit.
Kështu është shprehur akademiku Dushan Teodoroviq duke theksuar se gjendja në Serbi ka pasur politikë të jashtme jo të drejtë duke u ulur në disa karrige përnjëherë.
“Serbia shkoi në rrugën e gabuar që nga viti 1989, pas rënies së Murit të Berlinit dhe tani jemi në një situatë kaq të vështirë dhe mendoj se Vuçiq nuk do ta marrë vendimin për t’i vendosur sanksione Rusisë. Këtë vendim do ta marrë dikush tjetër. Dëshminë e kësaj e gjej në votimin e fundit në OKB, kur votuam përjashtimin e Rusisë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut”, ka theksuar Teodoroviq për media serbe.
Ai ka shtuar se ka ardhur momenti që Serbia të përcaktohet ndërmjet Perëndimit apo Vladimir Putinit.
“Vendi ynë është një nga vendet më të varfra të Evropës dhe ka pasur politikën e jashtme të gabuar duke u ulur në dy, tre, katër karrige. Ka ardhur momenti që kjo nuk është më e mundur dhe për çdo njeri që mendon është e qartë se, për fat të keq, po formohet një ‘Perde e Hekurt’ e re. Në njërën anë janë Vladimir Putini, Aleksandar Lukashenko e disa satelitë të tjerë dhe nga ana tjetër janë Perëndimi, Amerika, Kanadaja, Japonia dhe bota e zhvilluar”, shton ai.
Teodoroviq tha se sjellja e Serbisë duhet të jetë e tillë që t’i dënojë veprimet e Rusisë në Ukrainë.
“Besoj se vendimi i Vuçiqit do të jetë në një farë mënyre i detyruar dhe se në atë mënyrë ai do të paraqesë sanksione nëse i prezanton. Nga ana tjetër, do të doja që t’i prezantojmë për shkak të ndjenjës sonë të moralit dhe ndjeshmërisë që kemi për 6 milionë refugjatë, për gratë e dhunuara dhe për faktin që fëmijët çohen me forcë në Rusi. Ne duhet ta dënojmë këtë [agresionin ushtarak rus në Ukrainë] dhe sjellja jonë duhet të udhëhiqet nga morali dhe ndershmëria, e më pak nga llogaritjet e vogla të ryshfetit”, përfundoi ai.
Kujtojmë se Serbia është shteti i vetëm në rajon që nuk e ka dënuar agresionin ushtarak në Ukrainë dhe se nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.
/TV Malisheva