Një nga gazetat më të njohura boshnjake e ka cilësuar si të rënda dhe të pakënaqshme për Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandar Vuçiq, konstatimet e nxjerra nga darka e mbrëmshme me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak dhe kryeminstrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Klix.ba”, një media nga Bosnjë dhe Hercegovina, vuri theksin tek gjuha e trupit që transmetoi fotografia e nxjerrë nga takimi trepalësh në Berlin të mërkurën.

Sipas raportimit të gazetës, “vetëm një biznesmen buzëqeshi” dhe ai ishte Kurti.

“Një ecuri e tillë e bisedimeve ndoshta i ka dhënë kënaqësinë më të madhe kryeministrit kosovar, gjë që shihet në foton e bashkangjitur nga darka në Berlin”, raporton “Klix.ba”.

Sipas gazetës online boshnjake, konkluzionet e nxjerra nga takimi në Berlin, në thelb, janë këto:

Nuk ka ndryshim kufijsh apo shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës

Marrëveshja përfundimtare duhet të përfshijë njohjen reciproke mes Serbisë dhe Kosovës

Nuk duhet të ketë nxitje të luftës

Gjermania do të mbështesë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës

Mund të pritet më shumë presion i BE-së ndaj Serbisë

Siç raporton gazeta nga rajoni, kohët e fundit, ata pak njerëz që e kanë ndjekur politikën rajonale kanë mundur t’i vënë re shqetësimet e vazhdueshme të Vuçiqit për presionin në rritje nga Perëndimi, i cili pret që Serbia të vendos përfundimisht për orientimin e saj kah Perëndimi apo Rusia.

“Presioni ndaj Serbisë është vërtet i madh”, raporton “Klix”.

“Klix.ba” është një nga gazetat online më të lexuara në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ajo është themeluar në vitin 2000.

Share.