Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka falënderuar Gjermaninë për organizimin e takimit të së mërkurës në Berlin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Këto komente, kreu i shtetit serb i bëri në një konferencë për media pas takimit që pati në Beograd me ministren gjermane të Mbrojtjes, Christine Lambrecht.

“Unë fola për qëndrimin e Serbisë, falënderova Gjermaninë që organizoi një takim me Kurtin mbrëmë dhe që mund të bisedonim, çfarëdo qoftë ajo bisedë”, tha Vuçiq.

“Është e rëndësishme që të flasim, sepse kështu diskutohet e ardhmja në një shoqëri demokratike”.

Ndërkaq sa i përket çështjes së dialogut Kosovë-Serbi , ai tha se “duhet gjetur një zgjidhje kompromisi”.

“Ju lutemi lejoni një shtet sovran të shprehë rezervat e tij për çështje të caktuara. Duhet të gjendet një zgjidhje kompromisi, jo një zgjidhje që do të imponohet. Serbia po përballet me kohë të vështira, besoj se do të mund të qëndrojmë dhe të mbijetojmë dhe të jemi partner i besueshëm ”, tha presidenti i Serbisë”, tha Vuçiq.

Në Gjermani mbrëmë u zhvillua një darkë joformale ku i pranishëm pos kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq ishte edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

/TV Malisheva

Share.