Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje kancelarit gjerman Olaf Scholz që të bëjë një “hap të fuqishëm” dhe të vizitojë Kievin të hënën – në datën kur Rusia feston fitoren e Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore.
Ai e ftoi Scholzin në kohën kur marrëdhëniet mes dy vendeve ishin tensionuar, pasi presidenti gjerman ishte refuzuar që të shkojë për vizitë në Kiev muajin e kaluar.
“Ai [Olaf Scholz] është i ftuar, ftesa është e hapur – kështu ka qenë tash e sa kohë. Ai është i ftuar që të vijë në Ukrainë dhe këtë mund ta bëjë një hap shumë të fuqishëm politik nëse vjen në Kiev më 9 maj. Nuk do ta shpjegoj simbolikën, besoj se keni mjaftueshëm njohuri për ta kuptuar përse”, tha Zelensky në një videolidhje.
“Dita e Fitores”, që shënohet më 9 maj, është një nga ngjarjet më të rëndësishme kombëtare të Rusisë, sepse e cilësojnë si përkujtim të sakrificës sovjetike të bërë në mposhtjen e Gjermanisë naziste në atë që në Rusi njihet si Lufta e Madhe Patriotike.
Zelensky nuk e kishte mirëpritur presidentin gjerman Steinmeier në vizitën në Ukrainë, për shkak të marrëdhënieve të tij të ngushta me Rusinë në vitet e fundit dhe mbështetjes së tij për tubacionin e gazit “Nord Stream 2”.
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, kishte thënë se ai kishte planifikuar të vizitonte Kievin “për të dërguar një sinjal të fortë të solidaritetit evropian me Ukrainën, por që nuk dëshirohej në Kiev”./TV Malisheva