Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, emri i të cilit u lakua si sekser në një aferë të madhe financiare në Slloveni, vazhdon të gjendet në Kroaci, edhe pse Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kishte udhëzuar Ministrinë e Punëve të Jashtme, që ta ftojë Berishajn në Kosovë për një raportim të detajuar, javë më parë.
Berishaj, bazuar në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Zagreb, këtë të premte ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Goran Grliç Radman, ku me ç’rast kanë biseduar për mbështetjen pa rezervë të shtetit kroat në rrugën dhe iniciativat që i merr Kosova në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.
“Takimi u bë në prag të Konferencës të cilën e ka organizuar Qeveria kroate me temë: ‘Konferenca për të ardhmen e Evropës dhe kontributi i Kroacisë’”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Berishaj, prej periudhës së publikimit të skandalit financiar në Slloveni, ka marrë pjesë në organizimin iftarit të fundit për këtë muaj të shenjtë të Ramazanit, nga Meshihati i Bashkësisë Islame në Kroaci, dhe ka pritur në takim homologun e tij korean, Hong Sung-Wook.
Ndryshe më 22 prill, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Ministria e Jashtme që ambasadorit Martin Berishaj, t’i kërkohet raport me shkrim, dhe i njëjti të ftohet në Kosovë për të sqaruar çështjen në fjalë.
Mirëpo deri më tani nuk ka asnjë informacion zyrtar se Berishaj, ka raportuar apo edhe ka udhëtuar për në Kosovë për të sqaruar më detajisht me çështjen në fjalë./TV Malisheva