Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, nënshkroi sot para gazetarëve një ligj, i cili mundëson përshpejtimin e dërgimit të pajisjeve ushtarake në Ukrainë, duke riaktivizuar dispozitat ligjore që burojnë nga Lufta e Dytë Botërore.
“Ukrainasit po luftojnë çdo ditë për jetën e tyre. Kjo luftë është e shtrenjtë, por dorëzimi ndaj agresionit do të ishte edhe më i shtrenjtë”, tha Biden në Shtëpinë e Bardhë.
Ligji i ri (Ukraine Democracy Defense Lend-Lease Act i vitit 2022) bazohet në një program të Luftës së Dytë Botërore i krijuar për të ndihmuar Evropën t’i rezistojë (Adolf) Hitlerit dhe u mbështet nga pothuajse të gjithë anëtarët e Kongresit të SHBA, me përjashtim të 10 anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët votuan kundër, tha Shtëpia e Bardhë.
Shtëpia e Bardhë shtoi se ligji u nënshkrua në një kohë kur Rusia po feston përvjetorin e fitores së saj mbi Gjermaninë naziste në vitin 1945.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, administrata Biden i ka dhënë Kievit ndihmë ushtarake prej rreth 3.8 miliardë dollarësh.