Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se PDK nuk do të votojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë  shumën e benificionit në lartësi të pagës minimale, duke thënë se ky ligj nuk prek personat me aftësi të kufizuara si dhe veteranët e luftës.

“LVV nuk ka arritur dot që të ketë një konsultim të mjaftueshëm, dhe të arrij që ajo pagë të jetë konform rritjes enorme të çmimeve. Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar që paga minimale të jetë jo më re vogël se 350 euro, dhe ne e kemi parë që paga minimale do të jetë 250 euro, që është një shkelje tjetër e premtimeve të tij. Kategoritë që janë më të ndjeshmet, që kanë kontribut të veçantë në shtetndërtim, por që po ashtu kanë sfida të jetës në rritjen e çmimeve, po shkelen dhe po degradohen, siç është rasti me veteranët e luftës dhe me të verbrit. Ne si parti nuk do të votojmë dhe do të jemi kundër”, tha Lushtaku.

Ndërkohë, Avdullah Hoti nga LDK tha se ky është ndër ligjet më  të pakuptimtë dhe më absurdë, për mënyrën e shkrimit dhe prezantimit.

“Janë kategoritë e ndryshme, sociale e pensionale që i lidh me pagën minimale, të ardhurat e tyre lidhen me pagën minimale, kjo është praktikë ndërkombëtare. Ju e targetoni vetëm një pjesë të vogël, që janë punëtorët e sektorit privat. Nuk arrihet qëllimi përmes këtij ligji”, tha Hoti.

“Ligji ka thënë se një veteran i luftës, nëse merr pensionin e veteranëve të luftës, nuk mund të punojë, është burim i të ardhurave, nuk mund të shkëputet kjo kategori, sepse ata janë njëjtë si një i punësuar në sektorin privat”, u shpreh tutje Hoti. /TV Malisheva

Share.