Ambasadori francez në Serbi, Pierre Koshar, konsideron se parashtrimi i kërkesës për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës është vendim i njëanshëm dhe shtoi se Franca nuk i përkrah lëvizjet e njëanshme, kanë raportuar mediet serbe.
Ai ka theksuar se prioritet është dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Ne mbështesim përpjekjet e Miroslav Lajçakut, mbështesim ftesën e Gjermanisë për presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Kandidatura për në Këshillin e Evropës është një vendim i njëanshëm dhe ne nuk i mbështesim ato vendime dhe e konsiderojmë dialogun një prioritet. Temë prioritare është edhe çështja e personave të pagjetur. Këto janë prioritete për ne”, tha Koshar
Ai theksoi se qeveria e Prishtinës nuk ka mbështetjen e Francës për paraqitjen e kandidaturës së saj në Këshillin e Evropës, sepse lëvizjet e njëanshme mund të çojnë në ngritje të tensioneve.
“Ne i kuptojmë aspiratat e Kosovës për t’u bashkuar në institucionet evropiane dhe mirëpresim faktin që ata janë rreshtuar me qëndrimet evropiane në lidhje me Ukrainën. Megjithatë, lëvizjet e njëanshme nuk i lehtësojnë gjërat dhe mund të çojnë në rritjen e tensioneve”, tha ai.
I pyetur nëse Franca do të votojë për hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, ambasadori tha se për momentin nuk është ngritur pyetja sepse procesi i pranimit zgjatë dhe kërkohet mendimi i Asamblesë Parlamentare dhe pastaj edhe rishqyrtimi i kandidaturës.
“Prioriteti i Francës është të bëjë gjithçka, së bashku me partnerët tanë evropianë, veçanërisht me Gjermaninë, për të vazhduar dialogun mbi baza të forta dhe kjo është ajo që është urgjente, ndaj ne besojmë se lëvizjet e njëanshme nuk janë të dobishme dhe mund të mbytin një proces tashmë të ndërlikuar, i cili nuk ka përparuar shumë muajt e fundit”, tha Koshar.
/TV Malisheva