Për gjashtë ditë radhazi në “Grand Blue Fafa”, në Golem është mbajtur festivali ndërkombëtar “Albania Afro Latin 2022”. Ky edicion ka bërë bashkë të ri nga e gjithë bota, ku nën tingujt e muzikës latine kanë vallëzuar salsa, bachata e krizomba.
Organizatorja e këtij festivali, Nereida Lalmi thotë se këtë vit është shtuar numri i pjesëmarrësve që i janë bashkuar familjes afro-latine në Shqipëri.
“Në edicionin e sivjetmë është shtuar numri, jemi diku te 1500 persona…çdo natë është me dresscod. Çdo vit, siç tha edhe partneri im, ne po shtohemi dhe nga Toronto, nga Australia. Kemi nga e gjithë bota njerëz që vijnë e bashkohen familjes afrolatine në Shqipëri…Më shumë kemi nga Italia, Franca, Luksemburgu, Belgjika, kudo”, thotë ajo.
Në hotelin “Grand Blue Fafa”, është hera e dytë që organizohet festivali me salsa, bachata e krizomba.
“Për mua si qëllim kryesor është që njerëzit të njohin Shqipërinë, sepse në fillimet e mia kur fillova të kërcejë e më pyesnin ‘nga je’, asnjë nuk e dinte. Tashmë Shqipëria është në hartën botërore të kërcimeve. Pse mos të jetë edhe Shqipëria një vend me kulturë të vallëzimit latin dhe të rritemi sa më shumë”, shton ajo.
Patrizio Monteiro, i njohur si dj X-Tra vjen nga Luksemburgu për t’u bërë pjesë e këtij festivali. Një nga organizatorët e këtij edicioni, thotë se ani pse festivale mbahet në shumë vende, iu pëlqen kultura shqiptare.
“Ky organizim bëhet që disa vite, është hera e pestë që vijë këtu në Shqipëri, është e mrekullueshme, na pëlqen shumë. Njerëzit janë shumë të këndshëm, gjithçka është në rregull, vend i përkryer….Ne punojmë qe disa vite me Fafa Hotel, i cili është një brend shumë i mirë, të cilin e rekomandoj….Nuk është ky i vetmi organizim, kemi organizime edhe në Luksemburg, dhe ne vende tjera, mirëpo na pëlqen kultura shqiptare”, shprehet ai.
Edhe për Aime Beurt nuk është hera e parë që vjen në Shqipëri. Artisti nga Luksemburgu e konsideron vendlindje të dytë Shqipërinë dhe shprehet i mahnitur me bukuritë e perlës bregdetare.
“Jam shumë i lumtur. Njerëzit nuk e njohin mirë Shqipërinë, nuk e dinë se sa e bukur është, se sa plazhe te bukura ka. Kemi qenë ne jug, jemi tash këtu, jemi ne Fafa, ku po e mbajmë Festivalin…Shqipëria është vend shumë i mirë dhe kemi ide për ta promovuar, që njerëzit të vijnë këtu. Ky është qëllimi i festivalit, për t’i ndihmuar njerëzit që ta njohin Shqipërinë, njerëzit nga Dubai, Amerika, nga të gjitha vendet, ta dërgojmë mesazhin që do të vijmë vitin e ardhshëm prapë këtu, kështu që ky është qëllimi i dytë i festivalit”, përfundon ai.
Edicioni i sivjetmë i feativalit “Albania Afro Latin 2022” ka nisur me datën 11 dhe do të përfundojë sot. Tash e dy vjet organizohet në hotelin “Grand Blue Fafa”, dhe një herë tjetër në “Fafa Premium”. /TV Malisheva