Zhvillimet gjeopolitike në Europën Lindore mund të favorizojnë Shqipërinë në aspektin ekonomik. Një memorandum mirëkuptimi mes kompanisë publike të gazit Albgaz dhe kompanisë bullgare Overgas, u nënshkrua këtë të hënë në Tiranë, nën vëzhgimin bekues të kryeministrit Edi Rama dhe ish-Sekretarit amerikan, Mike Pompeo.

Ministrja Belinda Balluku deklaroi se qëllimi i memorandumit është furnizimi me gaz i të gjithë vendit, nëpërmjet terminalit që do të ngrihet në Vlorë: “Të gjitha zhvillimet gjeopolitike e kanë vënë Shqipërinë në një pozicion më të fortë, për shkak të gjeografisë që ka, por edhe prej aderimit në NATO dhe gjithë marrëdhënies strategjike që ne kemi prej vitesh me SHBA”.

Sipas Ballukut, si garanci për seriozitetin e projektit do të shërbejë ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo: “Fakti që Sekretari Pompeo është këtu sot, dëshmon se ky do të jetë një bashkëpunim serioz. Në të ardhmen mund të kthehet në një bashkëpunim real që do të shërbejë jo vetëm në shtetet që unë përmenda, por sigurisht edhe më tej, siç është rasti i Overgaz-it bullgar, i cili sot, për shkak të gjithë gjeopolitikës dhe zhvillimeve që po ndodhin, po has vështirësi që në të ardhmen do të mitigohen dhe do të zgjidhen përmes këtyre projekteve rajonale, ku Shqipëria luan një rol të rëndësishëm”.

Sipas Ballukut, projekti është në kuadër të vizionit të qeverisë “Shqipëria 2030”, që synon të kthejë vendin në një eksportuese të energjisë.

Share.