“Duke iu përgjigjur kërkesës së Ukrainës për ndihmë në situatën e krizës të shkaktuar nga agresioni i Rusisë kundër atij vendi, Mali i Zi dërgoi një donacion ushtarak dhe humanitar për Ukrainën mike”, tha Ministria e Mbrojtjes malazeze në një deklaratë.
U theksua se Mali i Zi, në koordinim me partnerët e tjerë europianë dhe aleatët e NATO-s, do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën në përpjekjet e saj për t’iu përgjigjur me sukses të gjitha sfidave me të cilat përballet për shkak të agresionit ushtarak rus.
Mali i Zi më parë i është bashkuar të gjitha sanksioneve të vendosura nga BE-ja ndaj Rusisë dhe pas një vlerësimi të shërbimeve malazeze të sigurisë, ka dëbuar gjithsej 5 diplomatë rusë që ishin të angazhuar në ambasadën ruse në Podgoricë.
Ambasadorja e Malit të Zi në Ukrainë, Dragica Ponorac dy ditë më parë është rikthyer në Kiev, ku javën e fundit kanë ardhur sërish ambasadorët e disa vendeve të tjera.
/TV Malisheva